Transmetuar më 30-09-2014, 00:37

Nga Skënder Minxhozi

Kuvendi i Partisë Demokratike është një eveniment i rrallë vitet e fundit, në skenën politike shqiptare. I fundit i tillë, që mbahet ende mend, ka qenë ai i dhjetorit të vitit 2009, kur PD e dalë nga fitorja e dytë elektorale (në sajë të katër mandateve të LSI), niste e qetë qeverisjen-bis, ndërkohë që opozita e majtë ndodhej ende e zhytur në spazmat e humbjes elektorale të qershorit.

Ky Kuvend vjen në një moment kur PD ndodhet në pozitë të ngjashme me PS-në e asaj kohe. Partia Demokratike e dalë nga Kuvendi që po mbahet, do të ketë struktura më të mëdha dhe forume plot emra të rinj. Këshilli Kombëtar me 150 anëtarë zgjidhet mes një liste prej 285 emrash, kryesia zgjerohet, ashtu siç shtohen edhe departamentet brenda partisë. Një proces i “shtimit të radhëve”, i cili duket se e kamuflon keq tendencën për të forcuar pozitat e kryetarit Basha në vendimmarrjen e niveleve të ndryshme. Mjaftoi dita e parë e Kuvendit, për të kuptuar se demokratët nuk kanë një plan, një projekt politik, për të ardhmen e afërt, e as për perspektivën e largët. Ndërkohë që kjo e dyta mund të presë, realiteti imediat i bojkotit është një rrethanë që kërkonte një përgjigje të qartë, përballë mijëra delegatëve të mbledhur në Tiranë. Përgjigjja që u dha, më mirë të mos qe dhënë fare; aq e turbullt dhe e paqartë ishte! Do të qëndrojmë, Rama të rrëfehet, t’i largojmë oligarkët, nuk lodhemi së prituri jashtë Kuvendit etj., etj. E gjithë kjo oratori në vakum, pasqyron në fakt mungesë vizioni dhe lidershipi, në një parti që sot e sheh veten ekzaktësisht në pozitën e sikletshme të PS-së së pesë vjetëve më parë.

Precedenti i opozitës së majtë është në fakt shembulli që duhet ta trembë më së shumti PD-në e sotme. Sepse bojkoti i atëhershëm i Ramës, i cili bazohej në devizën “hap kutitë ose largohu”, pati një fund që vetë kreu i PS-së nuk ka shumë dëshirë ta kujtojë sot. Nëse kthejmë kokën pas, as kutitë e zgjedhjeve të 2009 nuk u hapën, as Berisha nuk iku nga pushteti. Ndodhi e vetmja gjë që mund të ndodhte në ato kushte: opozita u kthye në Kuvend, pa përmbushur asnjë nga kërkesat e saj!

PD ndodhet sot në një pozicion identik, në raport me Parlamentin. Vetë Berisha ia ka “mësuar” më së miri Ramës taktikën e veprimit, në raste si ky i sotmi. Ai vetë i ka dhënë në dorë kundërshtarit çelësin e zgjidhjes së kësaj krize. Që do të thotë, prit dhe mbyll veshët me pambuk, derisa kundërshtari të lodhet duke qëndruar në rrugë.

PD duhet të deklaronte diçka më shumë se fraza “duhet marrëveshje për bojkotin”. Ku konsiston marrëveshja? Tek paketat ligjore që pritet të kalojnë në Kuvend, tek shkarkim-emërimet që pritet të provokojnë ato, apo diku tjetër?

Duke vendosur parakushte gjithnjë e më të vështira për kthimin në Kuvend, PD po sharron degën ku është ulur, pasi po ia lë të gjithë fushën e lojës të lirë mazhorancës. Të pretendosh se mund të kushtëzosh nga jashtë Kuvendit, ata që mblidhen të pashqetësuar çdo javë aty dhe miratojnë pa asnjë debat apo pengesë, të gjitha axhendat ligjore, do të thotë t’ia lësh avantazhin e lojës atij që ke përballë. Një gabim taktik i rëndë, siç na ka mësuar demokracia shqiptare në këto dy dekada.

Bojkoti disamujor e ka zhvlerësuar pozitën dhe kreditet politike të partisë më të madhe në pushtet. Qëndrimi i mëtejshëm jashtë Parlamentit, vetëm sa do të tkurrë e mpakë edhe më tej peshën dhe efektin e asaj që opozita thotë dhe bën. Shpërfillja e kësaj rrethane edhe nga forumi më i lartë i partisë, kongresi, është një zhvillim dëshpërues, që tregon se miopia politike dhe emocionet e humbjes elektorale, vijojnë ta mbajnë larg partinë nga gjykimi kthjellët dhe realist i situatës.

Do të kishte vend të thuhej se ky ishte kongresi i Lulzim Bashës… nëse menjëherë pas tij nuk do ta merrte fjalën Berisha. Fjalimit pasionant të Bashës, i cili përfshinte edhe ndjesën për humbjen (e cila duhet përshëndetur si akt), i pasoi fjala e vrazhdë e Berishës, si për të na kujtuar se rotacioni real i pushtetit në PD duhet ende të ndodhë. Duartrokitjet që lideri historik mblodhi me lehtësi, falë toneve të tij të ngritura skajshëm, jo vetëm që e vunë edhe një herë më tepër në vështirësi kreun zyrtar të partisë, por duket se relativizojnë më në përgjithësi, edhe prurjet e reja që Basha është përpjekur të filtrojë në forumet e fryra tej mase të PD. Berisha u kujtoi edhe një herë të pranishëmve se është aty dhe se, për më tepër, vijon të besojë tek politika si akt force, e jo si proces dialogu. Radikalizimi që ish-kryetari vijon të injektojë në linjën zyrtare të PD, në sajë të një koncepti politik, i cili vetëm një vit më parë u dënua masivisht me votë, është një faktor negativ, që dëmton çdo tendencë sado të ndrojtur për korrigjim dhe reflektim.

Dita e parë e Kuvendit demokrat ishte pasqyra besnike e gjendjes në të cilën ndodhet PD aktuale. Ndjesë dhe mjegull, mund të përkufizohet ajo çka pamë dje në sallën e Pallatit të Kongreseve. Megjithatë Lulzim Basha e hodhi edhe një hap drejt konsolidimit të kreut formal të partisë. Të një partie e cila po hap dyert për dhjetëra fytyra të reja, shpesh të panjohura, por që ende nuk po arrin të hapë mendjen dhe të çlirojë logjikën, nga barra e rëndë e asaj që ka ndodhur një vit e ca më parë. Nuk mjaftojnë një apo dy ditë kongres, për t’i dhënë drejtimin e duhur një strategjie politike disavjeçare në opozitë. Të cilën, PD e sotme, mesa duket, ende nuk e ka të formësuar, në lartësinë e ambicies së saj njëzetvjeçare për pushtet.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit