
Nxënësit në shkollat e mesme të Tiranës vazhdojnë të përballen me vështirësi nga më të ndryshmet, si pasojë e mbipopullimit të klasave.
Kështu, në një prej gjimnazeve më të mëdha në Tiranë, në atë "Sami Frashëri", vetëm numri i klasave të 10-ta shkon në 14 të tilla.
Nxënësit shprehen se ka klasa ku janë të detyruar të ulen në bankë tre veta, ndërkohë që numri arrin edhe deri në 41 nxënës.
Mbipopullimin në klasa e pranon dhe vetë drejtuesja e shkollës. Ajo shprehet se numri i lartë në klasë nuk është vetëm se ka patur shumë kërkesa por edhe nga grupimi i nxënësve sipas lëndëve me zgjedhje.
Rajmonda Kanina, drejtoreshë e shkollës së mesme "Sami Frashëri" thotë se kjo ndikon edhe në procesin e mësimdhënies, por e vetmja zgjidhje do të ishin ambientet shtesë.
"Gjithsesi kemi ruajtur cilësinë, po kjo sjell vështirësi për mësuesit, për stafin pedagogjik për një zhvillim më komod dhe më cilësor të mësimit, dhe që në objektivat tona është të vijmë duke ulur numrin e nxënësve në klasa. Ajo që na e vështirëson më shumë në këtë periudhë riorganizimin e shkollës në bazë të numrit të nxënësve, duke mos qenë i vetmi kriter mbi të cilën ne ndërtojmë një klasë, po duke qenë parësor kriteri i kurrikulës së re, dhe sidomos kurrikulës me zgjedhje, nxënësi çdo vit vjen para zgjedhjeve të reja të lëndëve që marrin dhe klasat rigrupohen në bazë të këtyre kritereve", tha Rajmonda Kanina, drejtoreshë e shkollës së mesme "Sami Frashëri".
Në të njëjtën situatë me mbipopullim në klasa, janë dhe gjimnazet e tjera në Tiranë, në vecanti ato që ndodhen në zonat më të populluara të kryeqytetit, si në gjimnazin "Ismail Qemali", "Qemal Stafa", "Petro Nini Luarasi" etj. E vetmja zgjidhje që kanë gjetur shkollat në këto kushte është mësimi me dy turne.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





