
Bayerni i Mynihut kaloi një natë të pazakontë në Moskë, ku hoteli “Ritz Carlton”, në të cilin ishin akomoduar, u përfshi nga një alarm zjarri dhe skuadra u detyrua të evakuohej për disa momente duke dalë në rrugë, citon Supersport.
Gjithsesi, nuk ka asnjë alarm për t’u shqetësuar pasi një gjë të tillë e konfirmoi edhe portieri Manuel Neuer në konferencën e zakonshme për shtyp.
Gardiani gjerman u shfaq i qeshur përpara kamerave, pavarësisht këtij episodi. Në fjalën e tij, trajneri Pep Guardiola analizoi gjendjen e skuadrës duke e pranuar se ndeshjet në Bundesliga ndryshojnë nga ato në Champions.
“Jemi të vetëdijshëm për nivelin që ka kjo skuadër. Kam gjithë grupin në dispozicion dhe të gatshëm për këtë sfidë. Për formacionin do të vendos pas stërvitjes së fundit. Për momentin jemi në kërkim të formës optimale, por nuk duhet të harrojmë se niveli në Champions League është shumë i lartë.
Një tjetër detaj që nuk duhet ta harrojmë është se ne jemi pjesë e një grupi shumë të fortë”. Në vijim, trajneri trajneri spanjoll u përqëndrua te cilësitë e kundërshtarit, duke paralajmëruar skuadrën e tij për forcën e CSKA-së.
“CSKA ka një trajner të mirë dhe një skuadër që luan bashkë prej shumë vitesh. Duhet t’i respektojmë, pavarësisht humbjes që pësuan në Romë. Kanë në grup lojtarë me eksperiencë si Ignashevich e Akinfeev, dhe mendoj se do të jenë një kundërshtar i fortë”.
Në krahun tjetër, trajneri i skuadrës ruse, Leonid Slutski tregohet realist duke deklaruar se do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi Bayerni i Mynihut ka në përbërje disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror.
43-vjeçari e përfundon konferencën për shtyp duke theksuar se skuadra do të japë maksimumin në fushën e lojës, por edhe kjo mund të jetë e pamjaftueshme për të marrë pikë ndaj Bayernit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





