Transmetuar më 29-09-2014, 15:29

E hënë, 29 Shtator 2014 NOA.al – Kryeministri Edi Rama e ka mbajtur premtimin e bërë pak më shumë se një vit më parë dhe sot, monumenti i demokracisë u shkatërrua në qendër të qytetit të Kavajës.

Kjo ka provokuar zemërim dhe kritika të ashpra në radhët e opozitës së djathtë e cila thotë se Rama shembi edhe karrigen e tij me këtë akt që dhunoi simbolin e përmbysjes së diktaturës komuniste në Shqipëri.

Si nisi

Ky monument i cili ndodhej në qendër të qytetit i ishte kushtuar lëvizjes së parë demokratike në Shqipëri të zhvilluar më 25 mars 1990 në Kavajë.

Në zgjedhjet e fundit lokale, kur Kavaja për herë të parë në shumë vite votoi majtas, dhe veçanërisht një vit më parë, kur të majtët morën në dorë drejtimin e shtetit, pati një debat të shkurtër nëse duhej shembur apo jo ky monument.

Debati erdhi nisur nga një deklaratë e kryeministrit Rama se ai monument nuk përfaqëson Kavajën por PD, ndaj nuk duhet të qëndrojë në qendër të qytetit.

Shkatërrohet obelisku

Sot paradite, mjetet e rënda të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) rrëzuan në tokë obeliskun, sipas një plani të bashkisë për rregullimin e sheshit qendror të Kavajës.

Rama paralajmëroi: Monumenti është shumë i shëmtuar

Edi Rama e kishte paralajmëruar një vit më parë se obelisku i vendosur në qendër të Kavajës si simbol i demokracisë dhe i qytetit të njohur për protestat antikomuniste, do të shembej.

Siç shihni videon e dytë më poshtë, Rama deklaroi në prag të zgjedhjeve të kaluara se monumenti ishte një shëmti për qytetin, duke theksuar se “nuk erdhi nga Saliu demokracia në Shqipëri”.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët Edi Rama foli mbi debatin e hapur për monumentin.

"Monumenti nuk ka lidhje me simbolin, por me formën, Kavaja nuk e meriton, sheshi demokracia ka qenë dhe do të mbetet, demokracinë nuk e solli Saliu, por studentët, intelektualët, shqiptarët, era e ndryshimit, Kavaja ka një rol shumë të madh. Ne do e ndërtojmë sheshin dhe do i japim Kavajës përmasat e një qyteti mesdhetar dhe t’i japim atij komuniteti një shesh me dimension tjetër do jetë sërish sheshi "Demokracia", por ai monument është siç e tha kryetari i Bashkisë së Kavajës, nuk është tamam monument, nuk janë tamam as dy gishta dhe ajo është një farsë. Nuk i takon Saliut të vendosë së çdo bëjë me monumentin kur Kavaja drejtohet nga Elvis Roshi dhe për më tepër që kryeministri ende në detyrë ka thënë se asnjë fond nuk jap për këtë qytet unë, përderisa Kavaja zgjodhi atë si kryetar bashkie", pati deklaruar Rama.

Berisha kërcënoi por harroi…

Në përgjigje të Edi Rames ish kryeministri Berisha u shpreh vjet se "mjerë ai që guxon ta prekë". “Erdhe në Kavajë hoqe maskën, tregove veten, biri i të atit. Por Kavaja s’të deshi ty, nuk kishte nevojë, ata e dinë mirë. Këtu, para këtyre burrave dhe grave do të të rikujtoj një ngjarje. Nuk dua të merrem me historinë, po na detyrove. Në vitin 1990 këta burra dhe gra që janë këtu, ndodhi që shokun e ngushtë të babit tënd ta detyrojnë të dalë nga Kavaja vetëm duke shkelur mbi veprat e gjakësorit, mbi veprat e mizorit. Ty, që të tmerron përmendorja e heroizmit të Kavajës dhe mbarë shqiptarëve, sikur të imagjinosh ti një moment, ashtu siç the të bërë copash, do imagjinosh veten tënde pa këpucë, i zbathur, duke ecur mbi ato copa”, ishte shprehur Berisha.

PD, Paloka: Rama shembi karrigen e tij

Partia Demokratike e konsideron si provokim shembjen e monumentit në qendër të qytetit të Kavajës, simbol i revoltës antikomuniste.

Kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka, deklaroi se me këtë akt Kryeministri Rama, ka dhunuar haptazi qytetarët e Kavajës dhe të gjithë vendit që nuk pajtohen me përpjekjen për të rilindur diktaturën.

"Edi Rama ka provokuar sot dhunshëm demokratët e vendit, por dhe mbarë qytetarët, duke shembur simbolin e lirisë dhe të demokracisë në qendër të Kavajës. Simboli i dy gishtave, përfaqëson sakrificën e gjithë kombit tonë, për ditët e vështira të rrëzimit të sistemit komunist. Kavaja ishte pioniere e ardhjes së demokracisë në vend, dhe e meritonte me dinjitet simbolin në mes të qytetit”.

Paloka tha se me këtë akt, Edi Rama ka ndezur fitilat e një revolte popullore dhe shtoi: “Me këtë akt të shëmtuar e provokues, Edi Rama ka kaluar çdo kufi, ka dhunuar haptazi qytetarët e Kavajës dhe të gjithë vendit që nuk pajtohen me përpjekjen e tij për të rilindur diktaturën, pjellë e së cilës ai është. Duke shembur simbolin e demokracisë,

Edi Rama ka minuar përfundimisht stabilitetin politik në vend, pasi e kishte goditur atë në mënyrë të përsëritur me shkallmimin e kolonave të demokracisë dhe bashkëjetesës politike. Ne i bëjmë sot me dije Edi Ramës, se ai ka shembur karrigen ku është ulur. Nga Kavaja do të vijë fundi i tij politik, fundi i sundimit të tij me bandat famëkeqe në Kavajë e kudo në Shqipëri", u shpreh Paloka.

Dhe historia përsëritet

Në këtë mënyrë, për fat të keq të shqiptarëve, po përsëriten dukuritë negative të palëve politike. Ashtu si PD më herët hakmerrej ndaj PS dhe Ramës duke shkatërruar projekte të tyre, siç ishte rasti i mbikalimit tek “Zogu i Zi”, tani është Rama që hakmerret ndaj Berishës duke shkatërruar obeliskun e ngritur nga qeveria e djathtë në shenjë kujtese dhe mirënjohje për përmbysjen e komunizmit në Kavajë, ku dominuan protestat qytetare.

Disa thonë se veprimet e ndërmarra në këtë mënyrë, rrezikojnë të provokojnë qytetarët dhe të ndezin më shumë klimën e acaruar politike. E nëse kjo ndodh (urojmë jo!), asnjë politikan nuk ka pse të shqetësohet, fundja viti 1997, shtatori 1998, 21 janari 2011, provuan fort mirë se vetëm majat e politikës nuk rrëzohen.

Shikoni videon: Qeveria shemb monumentin e demokracisë në qendër të Kavajës

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit