
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike ka mbyllur sot pasdite procesin e votimeve për 150 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar.
Në funksion të procesit të votimit ishin ngritur 10 komisione me nga tre anëtarë dhe 300 vend votime, ndërsa 7500 delegatë kanë votuar mes 285 kandidatëve për 150 vendet në Këshillin Kombëtar.
Gjatë dy ditëve kanë votuar 60% e delegatëve. Numërimi i fletëvotimeve do të fillojë sonte dhe rezultatet e tij do të dalin në ditët në vijim.
Partia Demokratike zhvilloi sot ditën e dytë të punimeve të Kuvendit Kombëtar, ku votuan delegatët që nuk votuar dje, dhe nga ku pritet të zgjidhen emrat e një numri të madh funksionarësh të Partisë Demokratike, duke nisur nga Sekretari i Përgjithshëm dhe sekretarët funksionalë, deri tek drejtuesit e departamenteve, përgjegjës për përgatitjen e platformave politike në PD, përfshi këtu edhe programin qeverisës dhe elektoral të partisë.
Në ditën e dytë të Kuvendit të demokratëve kanë mbajtur fjalë, disa prej të zgjedhurve në degët kryesore të PD, por edhe figura të tjera të opozitës.
Gjatë ditës së djeshme, në konventën e mbledhur për të miratuar ndryshimin e statutit të Partisë Demokratike si edhe për zgjedhjen e Këshillit të ri Kombëtar të PD-së, u mbajtën fjalimet kryesore nga kryetari aktual i PD, Lulzim Basha dhe ish-kreu i saj Sali Berisha.
Po kështu dje u miratuan ndryshimet në statut si dhe u votua për 150 vende në Këshill.
Në fjalën e tij, kreu Basha u kërkoi ndjesë anëtarëve të kësaj partie, por edhe qytetarëve për gabimet që u bënë gjatë qeverisjes.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





