
Në një letër drejtuar liderit të ISIS dhe të vetëshpallurit Halife, el-Bagdadi, e firmosur nga 125 dijetarë myslimanë nga vende të ndryshme të botës thuhet se shpallja e Kalifatit nuk mund të bëhet pa pasur një pëlqim nga e gjithë Bota Islame.
Në letrën drejtuar Ebu Bekir el-Bagdadi thuhet: “Nuk është e lejuar të shpallet Hilafeti pa pëlqimin e të gjithë Botës Islame”.
Në letrën e cila mbante firmat e dijetarëve nga shtetet, Arabia Saudite, Jordania, Palestina, Egjipti, Tunizia, Irak, Sudan, Jemen, Turqi, Anglia, Franca, SHBA, Suedia, Bosnja Hersegovina, Italia, Belgjika, Bullgaria, Argjentina, Kanadaja, India, Kina, Malajzia, Indonezia dhe Nigeria thuhet:
“Në Islam është e ndaluar; të vrasësh të pafajshmit, të vrasësh të dërguarit, gazetarët, të quash qafir atë të cilin nuk e nxjerr hapur kufrin, të sillesh keq me “Ehli-Kitabin” (pjesëtarët e feve hyjnore) dhe të rivendosësh robërinë gjë e cila është ndaluar me unanimitet nga feja Islame, të detyrosh njerëzit te futen në Islam, të marrësh të drejtat e fëmijëve dhe grave nga duart, të dëmtosh kufomat e të vdekurve, të bësh tortura dhe t’i adresosh ato Islamit ose të thuash që je duke i bërë në emër të Allahut, si dhe të prishësh varret e Peygamberëve apo shokëve të tyre. Gjithashtu Islami e ndalon shpalljen e Hilafetit pa një vendim unanim të gjithë Botës Islame”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





