Transmetuar më 28-09-2014, 13:26

Tiranë, 28 shtator 2014, NOA.al – Konfindustria ka shprehur gjatë ditës së sotme shqetësimin e saj për rritjen në pothuaj 25% të masës së kredive të "këqija" kundrejt portofolit të përgjithshëm, e cila, sipas Konfindustriaf shënon nivelin më të lartë historik në vite.

“Në vlerë absolute janë mbi 1 miliard euro kredi problematike dhe gjysma e tyre të raportuara "të humbura" në 6 mujorin e parë të vitit 2014, duke përbërë një pengesë serioze për zhvillimin e ekonomisë kombëtare”, thuhet në deklaratën për shtyp.

Më tej shtohet se Konfindustria vlerëson, se kahu rritës i kredive problematike nga njëra anë tregon për vazhdimësinë e gjendjes së vështirë të ekonomisë dhe nga ana tjetër për paaftesinë dhe subjektivizmin e deritashëm të sistemit bankar për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit.

“Konfindustria këshillon Qeverinë dhe vendimmarrjen politike, që në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë të vlerësojnë sa më shpejt dhe me seriozitet problematikën në sistemin bankar. Për më shumë është e papranueshme kur kreditë e "këqija" arrijnë nivelin më të lartë historik dhe ritmi i rritjes së kreditimit në disa vite rresht është në kufij afër zeros, fitimet e sektorit bankar për të njëjtën periudhë kohore në mënyrë paradoksale janë në shifrat më të larta historike prej 5.7 miliard lekë”, thotë Konfindustria.

Drejtuesi i saj, Gjergj Buxhuku përfundon duke thënë se pozita monopol e sistemit bankar në tregun financiar të vendit bashkë me paaftësinë e politikave qeveritare për arritjen e shkallës së duhur të konkurrencës brenda vetë tregut bankar, janë shkaqet kryesore të gjendjes së pakënaqshme të deritashme. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit