
Flamurtari ndaj Laçit humbi dy pikë. Është ky mendimi i trajnerit të vlonjatçve Ernest Gjoka, të cilit në përfundim të përballjes me kurbinasit, i vjen keq për rastet e shumta, të humbura nga skuadra e tij, citon Supersport.
“Është për të ardhur keq, pavarësisht meritës së kundërshtarit patëm shumë raste por nuk na buzëqeshi fati. Duhet të jemi më dinakë përpara portës. Në këtë ndeshje humbëm përqendrimin dhe gabuam jashtëzakonisht shumë përpara portës.
Nuk kishte të bënte me bllokim psikologjik tonin, pasi e dinim shumë mirë sesi luan Laçi, mendoj se duhet të ishim treguar më të qetë përpara portës. Na duhej kjo fitore për të bërë diferencë në tabelë, por fati nuk e deshi diçka të tillë”.
Nga ana tjetër trajneri i Lacit, Armando Cungu mbeti i kënaqur me rezultatin duke theksuar se të marrësh pikë përballë Flamurtarit në Vlorë nuk është asnjëherë e lehtë.
“Të ndalësh Flamurtarin në fushën e tij është gjithmonë një rezultat i kënaqshëm. Për lojën që shfaqën dy skuadrat në fushë mendoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë në këtë sfidë.
Laçi është rikthyer? Nuk jam i bindur nëse jemi rikthyer. E kam thënë edhe më parë se ndeshjet duhet t’i marrim një e nga një”.
Javën e ardhshme, Flamurtari do të udhëtojë në Tiranë për tu ndeshur në Qemal Stafa me Partizanin, ndërsa Laçi do të presë në shtëpinë e tij, Vllazninë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





