
Tiranë, 27 shtator 2014, NOA.al- Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori ish-drejtorin portit të Sarandës.
Kontrolli i Lartë i Shtetit përfundoi auditimin në “Portin Detar” Sh.a. Sarandë, me objekt “Mbi zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë në procedurat e prokurimeve, zbatimin e kontratave si dhe zbatimin e dispozitave ligjore për dhënien me qira të ambienteve”, për periudhën e veprimtarisë në vitet 2011-2013. Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore në tenderat për investime dhe në dhënien me qira të ambienteve, si:
-Në tenderin me objekt: “Riparim dhe montim i vinçit Ganz për shërbime portuale”, me fond limit 6.000.000 lekë, u konstatua se nuk ka asnjë të dhënë për mënyrën e llogaritjes së fondit limit, nuk disponohet asnjë skicë, vizatim e projekt për montimin e vinçit dhe nuk ka preventiv analitik të punimeve që duhet të kryhen. Nga ana e ish Drejtorit të “Portit Detar” Sh.a. Sarandë, është bërë përcaktimi i pjesmarrësve në tender, në kundërshtim me VKM nr. 1, datë 10.01.2007, “Për rregullat e prokurimit publik, ndërsa nuk ka asnjë procesverbal për përcaktimin e pjesëmarrësve në këtë tender, si dhe asnjë burim informacioni se pse janë përzgjedhur këta pjesmarrës. Nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave nuk ka asnjë dokumentacion të firmosur mbi rezultatet e tenderit.
– Në tenderin me objekt: “Çmontim dhe transport elektrovinçi nga porti i qytetit në Portin e Limjonit”, me vlerë 5,285.000 lekë, KLSH konstatoi se preventivi i punimeve është hartuar pa u bazuar në manualet e çmimeve dhe nuk ka asnjë urdhër se kush do të merret me përllogaritjen e vlerës së kontratës. Sërisht, nga ana e ish Drejtorit të “Portit Detar” Sh.a. Sarandë, është bërë përcaktimi i pjesmarrësve në tender, në kundërshtim me VKM-në përkatëse. Nga auditimi i dokumentacionit të raporteve të punës për kryerjen e pagesave, për vitin 2011, rezulton se disa punonjës kanë punuar për nevoja të çmontimit të vinçit në një kohë që ky vinç për t`u çmontuar është kontraktuar me operatorin fitues të tenderit.
– Për shtesën e punimeve në kontratën me objekt, “Ndërtim i rrethimit të Portit të Limjonit”, është likuiduar shuma 27 muaj më vonë nga përfundimi i kontratës bazë. Për këtë volum punimesh nuk ka asnjë dokumentacion sipas kërkesave të ligjit nr. 8402, datë 10.9.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, neni 12.
-Për dhënien me qira të ambienteve të SH.A. “Porti Detar” Sarandë, mungon dokumentacioni ligjor, etj.
Për këto shkelje dhe shkelje të tjera të konstatuara, KLSH ka kallëzuar në Prokurori me Nr. 607/6 dt. 15.09.2014, T.K., ish Drejtor i Portit Detar Sh.a. Sarandë, M.M., ish Kryetar i Degës së Programimit dhe Investimeve, Th.Th., ish Kryetar i Degës Teknike dhe Th.M., normist, inspektor kalate, për konsumimin e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike”, Neni 248 dhe Neni 258 i Ligjit Nr. 7895 date 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”. KLSH i ka përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë materialet e auditimit dhe të gjitha provat përkatëse.
KLSH ka rekomanduar 37 masa organizative dhe 6 masa për shpërblim dëmi në vlerën 3,928,224 lekë.
Gjithashtu, KLSH i ka kërkuar Këshillit Mbikqyrës të Portit Detar Sh.a. Sarandë zbatimin e masës disiplinore “largim nga puna” për Drejtorin e tanishëm të Portit, pasi ka lidhur kontrata me tragetet e linjës, pa kërkuar asnjë dokumentacion nga shoqëritë e transportit detar si edhe pa përcaktuar në asnjë rast sanksione për likuidimin e detyrimeve në kohë, duke sjellë debitorë në rritje për Portin; ka lejuar ushtrimin e aktivitetit të shoqërive që kryejnë aktivitetin e transportit të pasagjerëve, pa u licencuar më parë; ka lidhur kontrata për pranimin dhe përpunimin e trageteve, me bazë juridike të shfuqizuar; ka dhënë urdhra për ndryshimet dhe përcaktimin në pagat e punonjësve, pa marrë miratim nga Këshilli Mbikëqyrës, etj. KLSH ka kërkuar zbatimin e masës disiplinore “largim nga puna” edhe për 3 punonjës të tjerë të Portit./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





