Transmetuar më 27-09-2014, 11:23

Tiranë, 27 shtator 2014, NOA.al- Partia Demokratike ka mbledhur sot Kuvendin Kombëtar të saj. Gjatë punimeve dy ditore të Kuvendit mësohet se janë rreth 250 kandidatë që do të konkurrojnë sot për 150 vende në Këshillin Kombëtar.

Në fjalën e rastit kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se ky është Kuvendi më demokratik i mbajtur ndonjëherë, duke e cilësuar si Kuvendin e bashkimit, të përtëritjes dhe të nisjes së re.

Ai tha se Partia Demokratike janë anëtarët e saj, delegatët dhje gjithë anëtarësia, duke shtuar se PD ka dalë nga shoku i humbjes së vitit të kaluar dhe është ringritur.

Duke u ndalur me zgjedhjen e tij në krye të PD me parimin “një anëtar një votë”, ai deklaroi se është krenar që drejton një parti të tillë.

Basha tha se Sali Berisha është personaliteti më i shquar që ka nxjerrë Partia Demokratike.

“Bashkë me gjithë demokratatë do të shkruajmë një histori të re suksesi për të mirën e Shqipërisë dhe të gjithë shqipëtarëve. PD është e përgatitur të rikthehet në parti fituese, duke menduar, duke reflektuar, duke analizuar, duke vënë gishtin mbi përgjegjësitë dhe duke u përballur me qeverinë më antidemokratike. Për të dalë sërish në ballë dhe për të udhëhequr shqiptarët, për tu përmirësuar dhe vetëkorrigjuar”, u shpreh Basha.

Kreu i opozitës tha se tetë vjeçari i qeverisjes demokratike ka qenë periudha e një progresi historik. Lidhur me rezultatin e 23 qershorit, si një nga shkaqet kryesore të humbjes  përmendi distancën me qytetarët, ndërsa shtoi se lidershipi demokrat duhet të ishte aty ku është jeta dhe halli.

Ai tha se në takimet në rrethe ka pasur ankesa të shumta se të zgjedhurit e atyre zonave nuk janë parë asnjëherë pranë zgjedhësve, por se kanë menduar për rehatinë e tyre personale.

Sipas tij, të zgjedhurit jetojnë në një botë paralele me qytetarët duke mos kuptuar dot hallet e tyre. Gjithashtu ai shtoi se sundimi i ligjit, legalizimet, korrupsioni etj., çaluan kryesisht në fund të mandatit të dytë.

Basha deklaroi se gjatë fushatës elektorale u fol kryesisht për masat dhe jo për individët duke shtuar se “Për të gjitha mangësitë e qeverisjes së PD, unë iu kërkoj ndjesë me përulje. Ndaj dua të zotohem për angazhimin tim, për korrigjimin e gabimeve tona”.

Në vijim të fjalës së tij kryeopozitari deklaroi se Partia Demokratike do vijojë të hapet dhe të mirëpresë në gjirin e saj çdo qytetar të lirë dhe të ndershëm, ndërsa dera do të mbyllet vetëm për njerëzit e krimit.

“Do zgjedhim ata që dinë të dëgjojnë dhe nuk i tjetërson suksesi. Ky do jetë modeli i lidershipit tonë politik për të ndryshuar vendin. PD është shtëpia e lirisë, do vazhdojë të marrë formë do presim krahapur qytetarët që vijnë. Mendësia e një rrjeti të mbyllur nuk është i joni”, tha ai. Qeverinë socialiste ai e akuzoi si oligarkinë e fundit në Europë që duhet shuar me zjarrin e idealit që ndezën studentët e dhjetorit. Basha tha se çifti i oligarkëve Rama- Meta nuk duhen lënë që të shkelin mbi shqiptarët dhe se fati i qeverisë është dështimi i sigurtë, pasi ajo synon të prishë demokracinë në themel.

Berisha: Qeveria e Ramës, e përçarjes kombëtare

Në fjalën e mbajtur në Kuvendin Kombëtar demokrat, ish-kreu i PD, Sali Berisha, akuzoi qeverinë se nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet.

Ai tha se qeveria nuk ka hapur asnjë vend të ri pune, si dhe nuk ka ndërtuar asnjë kilometër rrugë apo shkollë.

Sipas tij, Edi Rama është Kryeministri i vetëm në Europë, që organizon dhunë fizike ndaj deputetëve të PD, për ti mbullyr gojën opozitës, vetëm se ata denoncojnë lidhjet e tij me krimin. Ai tha se kjo qeveri është më përçarësja pas asaj të Enver Hoxhës.

“Edi Rama ka ndëshkuar ekonomikisht dhe financiarisht verilindjen e vendit si asnjëherë tjetër. Kjo është klikë e urrejtjes dhe përçarjes kombëtare sepse kanë dhënë më shumë nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve në rajone të caktuara, dhe kanë përjashtuar zona të tëra për shkak të votës së dhënë kundër tij. Ai ka dhënë më shumë fonde për Gjirokastrën se sa për Shkodrën dhe Kukësin të marrë së bashku, e kështu me radhë për qarqe të tjera”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se taksat që vilen edhe për gotën e ujit, u grabitet zonave veriore dhe verilindore dhe iu shpërndahen atyre zonave ku vjedhin më shumë.

Berisha deklaroi se miqtë ndërkombëtarë dënojnë shtetin oligarkik dhe kleptokratik të ndërtuar nga dyshja Rama-Meta.

Në vijim janë miratuar me unanimitet ndryshimet në statutin e PD.  Statuti i ndryshuar i Partisë Demokratike zgjeron forumet drejtuese të kësaj partie, shton departamentet dhe sanksionon parimin “një anëtar-një votë”. Në vijim 7500 delegatët do të vojnë për 150 anëtarët e Këshillit nga 250 që janë në listë. Kreu i PD, Lulzim Basha ka votuar tashmë.

Në çelje të punimeve një video-mesazh kryesor e mbajti Jozef Daul, kryetar i Grupit të Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian.  Në Kuvendin Kombëtar të PD janë mbi 7500 delegatë që përfaqësojnë vullnetin e 101 mijë anëtarëve të PD-së.

Reagon Edi Rama: Kur bënim kongres në opozitë, qeveria na gjuante me baltë

Lidhur me Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike ka reaguar Kryeministri Edi Rama. Në një postim në profilin e tij në Facebook, Rama shkruan, “Ja dhe një shembull i ndryshimit real: Kur bënim kongres në opozitë qeveria na gjuante me baltë, sot PD bën kongres dhe qeveria sheh punët e saj”./a.y/noa.al/

Fjala e plotë e kreut të PD, Lulzim Basha

Analiza e humbjes

Prej rreth nje viti demokratet anembane vendit analizuan faktoret e humbjes. Ne nxitem lirine e mendimit si nje faktor bazik drejt se vertetes. Një analizë që do të fokusohej vetëm të shkaqet e jashtme do të ishte e demshme. E padrejtë do të kishte qenë edhe analiza që rrëmon papushim në shkaqet e brendshme duke injoruar ndikimin e faktoreve te jashtëm. Kerkuam te ishim te ndershem dhe te drejte ne analizat tone të cilat nuk patën për qellim te godasim koleget, por te evidentojme problemet, nuk patën qëllim të gjejme koka-turku sepse kjo nuk është në filozofinë tone. Duam te jemi te ndershem me veten, koleget dhe kundershtarin.

Në dritën e qeverisjes njëvjeçare te koalicionit te majte tashmë ka dalë  në pah pesha e premtimeve false te kundershtareve. Genjeshtrat elektorale te PS-së, një realitet i  pranuar tashmë edhe nga zgjedhësit e majtë, na kane lejuar  të  gjejmë ekulibrin e duhur  në  analizat tona, duke vlerësuar drejt çfarë ka qenë qëndrim kritik ndaj qeverisjes tonë dhe çfarë ka qenë mirëbesim njerëzor nga ana zgjedhësve.

Mijëra qytetarë, që janë joshur e mashtruar nga premtimet e legalizimeve falas, të shërbimit shendetësor falas, të listës së gjatë të lehtësimeve për njerëzit në nevojë, e tjerë e tjerë, sot ndihen të genjyer.

Manipulimi i zgjedhësve, shit-blerja masive e votes dhe efektet e krizes globale ndikuan ne rezultatin zgjedhor.

Por rezultati do ishte tjeter, nese ne do ishim treguar me te vendosur, me te bashkuar dhe me te perkushtuar ne betejen elektorale. Ne nuk shfrytezuam potencialin tone real.

Ne bisedat e hapura me demokratet anembane vendit, në liri të plotë, me përgjegjësi dhe te vetëdijshem per rolin e te vertetes, ne analizuam cdo detaj te ecurise tone. Në te gjithë piramidën partiake, që nga seksioni më i thjeshtë, në kuvendet e degëve, në forume, në komunikim te vazhdueshëm me qytetarët, ne kemi kerkuar se çfarë ka shkuar dhe nuk ka shkuar mirë në qeverisjen tonë, pse e morëm ate rezultat zgjedhor.

Demokratët kanë folur për këto shkaqe dhe janë dëgjuar. Ne kete kontekst une po rradhis disa prej përfundimeve tona.

Thelbesore mbetet distanca e krijuar me qytetarin, distanca me bazen e partise.Nje pjese e perfaqesuesve tane ne qender dhe ne periferi u lodhen nga qeverisja. Disa u ndjene teper te rendesishem per te degjuar qytetaret, per t’u marre me problemet e njerezve apo/dhe fushatat elektorale.

Qeveria investoi për vepra të mëdha por disa nga përfaqësuesit tanë fjetën mbi dafina. Disa harruan se midis veprave me dobishmeri publike dhe qytetarit me problemet e tij personale, ka nje hapësirë të gjere ku perfaqesuesit tane duhet te sherbenin me devotshmeri. Lidershipi demokrat duhet te ishte gjithnje aty ku është jeta e njërëzve, aty ku është problemi i pazgjidhur, aty ku është papunësia, varfëria, përmbytja, shkelja e ligjit,  diferencimi  shoqëror, e te tjerë. A kemi qene gjithnje ne lartesine e duhur? Në  mbledhje  dhe konferenca të  ndyshme  janë përmendur  raste ekstreme kur  të zgjedhur të  caktuar të  Partisë Demokratike nuk janë parë asnjëherë në zonë gjatë katër viteve të legjislaturës se shkuar.

Në ngjashmëri me indiferencën e të zgjedhurve, drejtorë dhe zyrtarë vendorë janë sjelle ne kundershti te plote me parimet dhe moralin e Partisë Demokratike.  Njerezit trokisnin per halle, disa prej nesh mbanin sehir nga xhamat e zyrave dhe makinave, duke i shërbyer rehatisë te tyre personale. Këtu nuk është fjala vetëm për distancën fizike me njerëzit, por më keq akoma, për të jetuarit në nje bote paralele me qytetarët, deri në moskuptim te tyre. Kjo është distanca që nuk lejon të zgjedhurit te kuptojne hallet, gjendjen shpirterore te njerëzve dhe shoqërisë, mendimet e tyre për zhvillimet politike. Kjo në fakt është distanca e deformimit dhe asgjësimit të politikës.

Qarkullimi i elitave dhe i zyrtarëve politikë në kuvend dhe në qeverisje u ngadalësua gjatë mandatit të dytë. Këtu nuk kam parasysh qarkullimin si qëllim në vetvete por qarkullimin e përligjur nga perfomanca  e dobët. Keshtu nisi nje zvetënim i shtuar në disa nivele dhe agjenci të qeverisjes, përfshirë zyrtarë politikë në rrethe dhe në qarqe.

Sundimi i ligjit çaloi në disa sektorë të rendësishëm të jetës publike sidomos nga fundi i mandatit të dytë. Kthimi i pronave nuk ruajti ritmet e parashikuara, legalizimet gjithashtu. Rastet e mitmarrjes, abuzimeve dhe korrupsionit që sipas demokratëve erdhën duke u shtuar me kalimin e  kohës,  kompromentuan besueshmerine e premtimeve tona në sytë e publikut.

Rastet e arrogancës apo shpërfilljes ndaj situatës ku u gjend një pjesë e sipërmarjes së lirë në vend për shkak të efekteve të krizës globale nuk ishin sjellje të kostumit tonë politik si parti e nismës së lirë.

Fushata jonë elektorale u foli me shumë masave sesa individëve. Nje një numër jo i vogël i kandidatatëve tanë të siguruar nepër lista nuk i dhanë rëndësinë e duhur punës derë me derë, por u mjaftuan të dilnin në tribunat e tubimeve të organizuara nga partia në qendër.

Për të gjitha këto dhe për çdo  mangësi tjetër, unë sot, në emër të Partisë Demokratike u kërkoj ndjesë nga kjo tribunë, me përulje, anëtarëve të Partisë  Demkokratike dhe para së gjithash  atyre qytetarëve që janë ndier të  braktisur dhe  kanë patur arsye të ndihen  të zhgënjyer në pritshmërite  e tyre nga qeverisja jonë.

Bashkë me ndjesën dëshiroj t’u deklaroj angazhimin dhe përkushtimin tonë për korrigjim në dritën e analizave që kemi zhvilluar e po zhvillojmë, të mangësive dhe gabimeve tona.

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit