Transmetuar më 26-09-2014, 14:17

Tiranë, 26 shtator 2014, NOA.al- Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço priti në një takim George P. Kent, Koordinator për Antikorrupsionin në Byronë e Çështjeve të Europës, pjesë e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Naço e informoi Kent me ecurinë e deritanishme të reformës në drejtësi dhe veçanërisht u ndal në masat e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë në luftën kundër korrupsionit.

“Unë erdha në krye të Ministrisë së Drejtësisë në një kohë që kishte vetëm slogane lidhur me luftën kundër korrupsionit, dhe kur Shqipëria renditej ndër vendet e fundit në raportet që tregonin mbi nivelin e korrupsionit në vend. Në këto raporte Shqipëria renditej në vendin e 116 përkrah vendesh si Nepali, Vietnami dhe Afganistani. Për mua kjo ishte një situatë e papranueshme”, u shpreh Naço.

Në vijim ministri tha se një hap i parë në përgjigje të kësaj situate, ishte edhe përfshirja e publikut në luftën kundër korrupsionit, duke ju krijuar mundësinë qytetarëve që përmes portalit të denoncimeve online, ata të kishin mundësi për të dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë dhe të denonconin korrupsionin në çdo nivel.

Naço deklaroi se ky hap i parë u shoqërua në vazhdim edhe me ndërmarrjen e disa nismave ligjore, të cilat kanë nisur të japin edhe rezultatet e para.

“Për herë të parë në këto 20 vite sillen përpara drejtësisë gjyqtarë të akuzuar për veprën penale të korrupsionit, dhe kjo është një dëshmi që sistemi po nis të reflektojë për nevojën e shembjes së murit të pandëshkueshmërisë”, deklaroi Naço

Më tej, ministri vlerësoi edhe asistencën e deritanishme të misionit OPDAT në vendin tonë, ndërsa shprehu vendosmërinë e tij për një reformë, që do të jetë e nevojshme të konsultohet në çdo rast me partnerët ndërkombëtarë.

Ndërsa nënvizoi nevojën për gjithëpërfshirje të aktorëve të sistemit, Naço e informoi Kent se po hidhet një hap i parë me shumë rëndësi në këtë aspekt. Konferenca e cila pritet të zhvillohet në javën e parë të tetorit, do të mbledhë së bashku aktorë vendimmarrës, spektrin politik, shoqërinë civile, etj, për të pasqyruar idetë dhe projektet, që mund t’i shërbejnë më mirë reformimit të sistemit.

Nga ana e tij Kent garantoi se, mbështëtja e Departamentit të Shtetit do të vijojë të ketë në vemendje sistemin e drejtësisë, duke synuar luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e transparencës.

“Jemi në mbështetjen tuaj përgjatë rrugës drejt Europës. Procesi për integrimin e Shqipërisë në strukturat evropiane lidhet ngushtësisht me ecurinë e reformave në drejtësi. Sytë e publikut janë drejtuar nga ju, ndaj dhe duhet të tregoni një vullnet të fortë politik, por ndërkohë, sfida madhore e një sistemi drejtësie është ndarja e saj nga politizimi”, u shpreh Kent./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit