
Tiranë, 26 shtator 2014, NOA.al – Parria Demokratike, nëpërmjet Enno Bozdo, në një deklaratë për shtyp u shpreh se “Afera CEZ” i ka kushtuar dhe do t’i kushtojë ekonomikisht, financiarisht dhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë
“Kjo aferë do të sjellë rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Shqiptarët e kanë paguar një herë këtë rritje çmimi. Rritja e çmimit do të ulë aftësinë blerëse, do të shtrenjtojë koston e punës, e për rrjedhojë do të dëmtojë ekonominë shqiptare”, tha Bozdo.
Sipas tij, 500 milionë euro, borxhe të pranuara dhe të papaguara të kompanisë CEZ ndaj shtetit shqiptar, u shuan me një të rënë të lapsit.
“3 miliardë dollarë, dëmi që CEZ i ka shkaktuar SEL dhe ekonomisë shqiptare, edhe pse i certifikuar nga ekspertë të mirënjohur ndërkombëtarë, u “harrua” nga maxhoranca pa brerjen më të vogël të ndërgjegjes. Mmaxhoranca do t`i paguajë CEZ edhe 95 milionë euro të tjera, edhe pse CEZ shkeli kontratën me të dyja këmbët duke i shkaktuar vendit dëme të pallogaritshme”, u shpreh Enno Bozdo.
Duke shtuar se “Afera CEZ” do t`i kushtojë shumë Shqipërisë dhe në planin e imazhit ndërkombëtar të vendit ai tha se maxhoranca fshehu me qëllim raportet ndërkombëtare të kompanive të specializuara.
“Shqiptarët nuk u njoftuan mbi çfarë faktonin këto raporte, ndërsa Kryeministri dhe ministrat e tij vazhdojnë të sillen sikur këto raporte nuk ekzistojnë. Maxhoranca u soll sikur të ishte avokate e CEZ dhe jo gardiane e interesit të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, ishin fjalët e Eno Bozdo.
Duke thënë se avokati ynë ndërkombëtar u përjashtua nga negociatat, ai deklaroi se “maxhoranca nuk di dhe nuk dëshiron të mbrojë interesat legjitime të shtetit shqiptar”.
“Imazhi i dëmtuar i Shqipërisë nga kjo afere, nuk do te mund te rifitohet, sepse maxhoranca duke paguar CEZ, ka marrë padrejtësisht mbi vetë fajin”, tha Bozdo, duke shtuar se Partia Demokratike e ka denoncuar prej muajsh këtë skandal.
“Për ne, interesi i Shqipërisë dhe shqiptarëve, vjen mbi gjithçka. Pikërisht për këtë, të gjithë ata që e shkaktuan dhe e “shijuan” këtë megaskandal, do të vihen përpara përgjegjësisë së plotë individuale. Drejtësia do të vendoset me çdo kusht”, përfudnoi fjalën e tij në emër të PD-së, Enno Bozdo. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





