Transmetuar më 24-09-2014, 18:20

Tiranë, 24 shtator 2014, NOA.al – Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivel 2.5%. Sipas Këshillit, qëndrimi i politikës monetare dhe kushtet financiare janë të përshtatshme për të siguruar kthimin e inflacionit në objektiv, brenda një periudhe afatmesme. Në një deklaratë të Bankës së Shqipërisë bëhet me dije se inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit rezultoi 2.0% në muajin gusht, duke shënuar rritje për të dytin muaj radhazi. “Rritja e inflacionit gjatë dy muajve të fundit është në përputhje me pritjet tona për një konvergjencë graduale të tij drejt objektivit 3%. Megjithatë, ritmi i rritjes së inflacionit gjatë kësaj periudhe është ndikuar edhe nga efekti statistikor i çmimeve të ulëta të vitit të kaluar”, thuhet në deklaratë. Sa i takon rritjes ekonomike bëhet me dije se është nxitur nga një ecuri më e mirë e kërkesës së brendshme private. “Konsumi dhe investimet private vlerësohet të jenë rritur, duke reflektuar përmirësimin e besimit të individëve dhe të bizneseve, kushtet më të mira të financimit në tregjet financiare dhe forcimin e bilanceve në ekonomi”, thuhet në deklaratë. Më tej saktësohet se ecuria e konsumit dhe e investimeve private mbetet ende e brishtë, për sa kohë që ajo nuk mbështetet nga përmirësime të qëndrueshme në tregun e punës, nga një ecuri më e mirë e ekonomisë botërore dhe nga rritje solide e burimeve të financimit, duke përfshirë investimet e huaja direkte dhe kredinë e sistemit bankar. Sa i takon politikës fiskale, ka pasur tipare konsoliduese gjatë vitit 2014. “Të dhënat e dy muajve të fundit tregojnë se intensiteti i konsolidimit fiskal dhe ndikimi frenues direkt që jep në rritjen e kërkesës agregate po zbuten. Zhvillimet e pritura në treguesit buxhetorë për pjesën e mbetur të vitit pritet të përkthehen në një stimul pozitiv fiskal”, shkruhet në deklaratën e Bankës së Shqipërisë. Më tej bëhet me dije se Këshilli Mbikëqyrës gjykon se informacioni i ri i disponuar është në përputhje me pritjet dhe nuk ndryshon vlerësimet dhe projeksionet bazë. Thuhet se ekonomia shqiptare pritet të rritet gradualisht drejt potencialit të saj në një periudhë afatmesme, duke sjellë dhe kthimin gradual të inflacionit në objektiv. /a.s/noa.al Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit