Transmetuar më 24-09-2014, 16:39

Milani tregoi karakter në Toskanë ndaj Empolit teksa përmbysi një disavantazh 0-2, duke barazuar me golat e Hondës dhe Torresit, por Filipo Inzaghin rezultati nuk e kënaq pavarësisht grintës së skuadrës së tij, duke vendosur theksin pikërisht mbi gabimet në mbrojtje të të tijve:

“Ishte një ndeshje e çuditshme. E dinim që nuk do të ishte e lehtë. E pata thënë që Roma vuajti në këtë fushë dhe nuk meritonte të fitonte, por nëse duam të bëhemi një skuadër e madhe nuk mund të pësojmë gola të tillë në goditje standarte.

Treguam karakter në pjesën e dytë dhe meritonim të fitonim, më vjen keq që nuk morëm tre pikët, por ka ende gjëra që duhet të korrigjojmë”.

Torres ishte njeriu i mbrëmjes, teksa shënoi golin e parë të kuqezinjve dhe Inzaghi e pranon që sulmuesi spanjoll bëri mirë në fushë:

“Është një profesionist i jashtëzakonshëm. Luajti shumë mirë, shënoi, ju afrua golit dha një asist të shkëlqyer për Menez dhe tregoi se mund të përshtatet shumë shpejt. Sigurisht që jam i kënaqur nga paraqitja e tij”.

Ndeshja e radhës në kampionat për Milanin do të jetë me Cezenën, një sfidë që duhet fituar për kuqezinjtë pas dy hapave fals radhazi me Juventusin dhe Empolin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit