Transmetuar më 24-09-2014, 15:14

Tiranë, 24 shtator 2014, NOA.al- Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, vizitoi sot shkollën e mesme profesionale të ndërtimit “Karl Gega” në Tiranë, ku vlerësoi rritjen e regjistrimeve për vitin e ri shkollor dhe nënvizoi se të rinjtë e kanë kuptuar rëndësinë e arsimit profesional. Në takimin me nxënësit e shkollës së ndërtimit, ku vetëm këtë vit janë regjistruar mbi 350 të rinj, Veliaj tha se arsimi profesional është e ardhmja dhe degë si termohidraulika janë degë të së ardhmes. “Statistikat e tregut të punës tregojnë se thuajse gjysma e ofertave për punësim vijnë nga degë si ndërtimi, termohidraulika dhe mekanika, të cilat i ofron kjo shkollë”, u shpreh ai. Sipas tij, këtë vit shumë nxënës që kanë zgjedhur arsimin profesional kanë përfituar bursë të plotë nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. “Më vjen mirë që shkolla “Karl Gega” ka karakter kombëtar dhe shumë të rinj nga verilindja e Shqipërisë kanë zgjedhur që të arsimohen në Tiranë, në mënyrë që zanatin që do të mësojnë në shkollë do ta përcjellin edhe në qytetet e tyre”, tha ministri Veliaj. Ai përshëndeti bashkëpunimin dhe mbështetjen e Shoqatës së Ndërtuesve, e cila ka marrë përsipër kryesimin e Bordin të shkollës, duke garantuar kështu që nxënësit ta kalojnë 30% të kohës së tyre mësimore pranë një biznesi të fushës ku po mësojnë. “Detyra e parë e Bordit është të kujdeset që çdo nxënës të ketë mundësi të kryejë praktikën pranë bizneseve”, tha Veliaj. Ministri shtoi se do të vazhdojë bashkëpunimi me qeveritë zviceriane, austriake dhe gjermane për arsimin profesional, në mënyrë që të sigurohemi që të kemi shkolla elitare, të cilat në të ardhmen do të prodhojnë sipërmarrësit e rinj./a.y/noa.al/ Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit