Transmetuar më 24-09-2014, 15:04

Flamurtari-Laci do të ketë një personazh të veçantë këtë fundjavë në fushë, Erjon Vucajn, citon Supersport. 23 vjeçari do të përballet këtë të shtunë me ish-ekipin e tij të zemrës, ku ka kaluar pjesën më të rëndësishme të karrierës së tij deri në këto momente.

Këtë herë do të jetë kundërshtar me një tjetër fanellë me vija mbi supe, atë të Flamurtarit. Skuadra që e bëri të njohur dhe që Erjoni i dha aq shumë, do të jetë kundërshtarja e tij. Për një prej talenteve më shpërthyes të Superiores në vitet e fundit nuk do të jetë një takim i lehtë me të kaluarën.

Te Flamurtari në pesë ndeshjet e para ka qenë gjithmonë i pranishëm në fushë duke qenë një prej të besuarve të Gjokës.

Por këtë herë për të shpërblyer besimin, Vucaj, duhet të japë më të mirën ndaj ish-ekipit të tij.

Në Laç, një gol i tij ndaj Partizanit në javën e 31-të shtroi rrugën drejt Europës për skuadrën kurbinase. Largimi i tij këtë verë krijoi një boshllëk jo të vogël për bardhezinjtë, që mbështesnin te këmbët e Vucajt të gjithë organizimin e lojës.

Në Vlorë gjithashtu po bën mirë dhe pse ende nuk ka shënuar, por roli i tij në qendër të fushës është i padiskutueshëm.

Kur të zbresë në fushë ndaj Lacit, Vucaj do të jetë futbollisti që do ta ndjejë më shumë këtë 90 minutësh, sepse përballë tij do të jetë e ardhmja dhe e kaluara, dhe përballja me këto të dyja nuk është asnjëherë e lehtë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit