
Nga kombëtarja në një ndeshje derbi, e para për të në kampionatin shqiptar. Debatik Curri karikon skuadrën e Tiranës për një fitore në ndeshjen e së premtes, për të harruar sa më parë atë disfatë të hidhur në Laç, ku bardheblutë dorëzuan kreun e klasifikimit pas një starti pozitiv të sezonit, citon Supersport.
“Në Laç zhvilluam një ndeshje jo të mirë dhe të gjithë janë të mërzitur. Shpresoj që të rikthehemi te fitorja në derbin me Partizanin”.
Mbrojtësi 29-vjeçar e shikon si një anomali faktin që kjo ndeshje do të luhet pa tifozë, por ai premton maksimumin për mbështetësit e skuadrës së tij, pavarësisht mungesës së tyre në stadium.
“Është një mëkat që do të luajmë pa tifozë, por shpresoj të japim maksimumin për të fituar edhe për ata tifozë që do të na mbështesin jashtë stadiumit”.
Pavarësisht peshës që ka ky derbi, Curri i snobon rivalët në luftën për titull, duke vendosur Tiranën pretendente, por edhe dy skuadra të tjera që sipas tij do të luftojnë deri në fund.
“Rivaliteti më i madh do të jetë mes Flamurtarit, Skënderbeut dhe Tiranës. Unë besoj se kemi 85 % mundësi për ta fituar titullin”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





