Transmetuar më 23-09-2014, 17:04

Pogradec, 23 shtator 2014, NOA.al – Kryetari i Partisë Demokratike në Pogradec, Renato Preza, është shprehur se INUK ka krijuar një gjendje lufte në këtë qytet, duke iu referuar ngjarjes së ditës së djeshme, ku një i ri humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën, si pasojë e një aksioni, të cilin Preza e ka cilësuar si arbitrar, të prishjes së ndërtimeve

“Dje në këtë godinë ndodhi një ngjarje fatkeqe ku një i ri humbi jetën, dhe dy të tjerë u plagosën rëndë. Kjo drame vjen si pasojë e gjendjes së luftës që ka krijuar në këtë zonë INUK-u i Edi Ramës. INUK po sillet si forcë armiqësore, dhe po merr përpara ç’të gjejë, edhe ndërtime te ligjshme me dokumente të rregullta pronësie. Ky aksion pushtues i INUK-ut të Edi Ramës, po sjell pasoja të tmerrshme për ekonominë e zonës, pasoja të forta sociale, duke shkaktuar papunësi e humbje të pasurisë e të investimeve, në disa raste 15 vjeçare”, ka thënë Preza.

Sipas tij, është gjendja e luftës që ka krijuar INUK që i çoi të rinjtë për të ruajtur sa të mundnin nga kjo pasuri e piketuar për tu rrafshuar. Ai tha më tej se “INUK i Edi Ramës, që sillet si batalion armik, ka edhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë, pasi sipas ligjit duhej të kishte rrethuar ndërtesën e të mos lejonte njeri të afrohej për të mbrojtur qytetaret”.

Kreu i PD në Pogradec bëri me dije se do t’i drejtohen prokurorisë për të zbardhur ngjarjen dhe përgjegjësitë. Ai ftoi çdo qytetar ndaj të cilit po veprohet në mënyrë arbitrare t’i drejtohet prokurorisë e të ndjekë deri në fund të drejtat e tij. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit