Transmetuar më 23-09-2014, 15:43

Pasi janë bërë një nisje shumë të mirë sezonit në Serinë A me tre fitore në po kaq ndeshje, Roma dhe Rudi Garcia do të kërkojnë të bëjnë poker në Parma.

Përballë ekipit të Donadonit, skuadra kryeqytetase synon vetëm tre pikët dhe kjo gjë dallohet qartë në fjalët e trajnerit të saj, citon Supersport.

“Parma është një skuadër që luan futboll të bukur, në këtë fillim sezoni ata kanë shënuar shumë gola por edhe kanë pësuar shumë.

Gjithsesi ne do të shkojmë në Parma me qëllimin e vetëm, për ta fituar sfidën. E dimë që gjithmonë është e vështirë të fitosh në transfertë, por nëse japim gjithçka siç kemi bërë në këtë fillim sezoni, unë jam i sigurt se mund të dalim me tre pikë nga stadiumi Enio Tardini”.

Pas Astorit dhe Iturbes sërish për arsye dëmtimi skuadra verdhekuqe ka humbur edhe Daniele De Rossin, por trajneri francez nuk shqetësohet nga ky fakt teksa shprehet se Roma i ka marrë parasysh këto gjëra.

“Mund të ndodhë, për këtë arsye kemi ndërtuar një skuadër që përbëhet nga një grup i madh futbollistësh.

Unë kam besim se pavarësisht mungesave do të shoh në fushë lojtarë që do të japin maksimumin dhe nuk do të ndryshojnë nivelin e Romës”.

Pas vetëm pak ditësh Roma do të ketë dy sfida shumë përcaktuese, fillimisht me Juventusin në kampionat dhe më pas me Manchester City-in në Champions League.

I pyetur për këto dy takime, Garcia la të nënkuptohej se vëmendja e tij dhe e skuadrës është e gjitha te ndeshja e kësaj të mërkure me Parmën.

“Ndaj Juves dhe City-it nuk mund të jenë dy takime deçizive pasi jemi vetëm në fillim të sezonit. Unë nuk mendoj shumë për ato dy ndeshje pasi përpara kemi Parmën, një skuadër e fortë, të cilën ne duhet ta mundim”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit