Transmetuar më 23-09-2014, 14:53

Lushnje, 23 shtator 2014, NOA.al- Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në Lushnjë për të parë investimet që po bëhen në këtë zonë dhe konkretisht rikualifikimi i sheshit, unifikimi i fasadave si dhe rikonstruktimi i Rrugës së Hyrjes në Lushnjë.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kreu i qeverisë tha se me rishikimin e buxhetit që do të votohet në Parlament, do të financohen plotësisht 51 projekte, duke bërë të mundur që të vazhdojë me ritme shumë të larta puna e zvarritur për shkak të mungesës së fondeve, në rrugën që lidh Lushnjën me Beratin dhe transformimi i rrugës që lidh Lushnjën me Beratin do të jetë një vlerë e shtuar edhe qytetarët.

“Prurjet që pavarësisht situatës së tmerrshme të rrugës kanë ardhur duke u rritur në Berat, me transformimin e rrugës dhe me transformimet që po ndodhin edhe në qytetin e Beratit do të shkojnë duke u shtuar. Dhe nga kjo, sigurisht, do të përfitojë Lushnja. Por që të përfitojë Lushnja, duhet që Lushnja vetë të ketë diçka për të ofruar. Dhe ky shesh do të jetë një nga pikat tërheqëse të atyre që do të nisen për të vizituar Beratin. E, me siguri, do të shtohet jo vetëm vlera e hapësirës publike, por do të shtohet vlera e gjithë mjediseve tregtare rreth e rrotull; do të shtohet vlera e mjediseve tregtare, vlera e apartamenteve. E kështu me radhe do të hyjmë në një proces zinxhir përmirësimesh. Por në të njëjtën kohë për realizimin e këtij sheshi do të ishte i mangët edhe qoftë si hap i parë, pa rrugën hyrëse. Ju vetë e dini se në çfarë gjendje të paimagjinueshme është rruga hyrëse e Lushnjës, që nuk ka lidhje fare me rrugën hyrëse në një qytet kryesor për Shqipërinë, por që ishte katandisur në një shteg të mbushur me gropa, me baltë dhe më ndërtime të shëmtuara e të paligjshme në dy anët e saj”, u shpreh Rama.

Ai bëri me dije se që nga rreth rrotullimi i Plugut deri tek rruga e hyrjes dhe tek momenti kur rruga bashkohet me qytetin, është vendosur të investohet për të sjellë një transformim shumë të rëndësishëm.

Kryeministri shprehu bindjen se që të dy këto projekte sëbashku do të funksionojnë më së miri për të çuar pastaj më tutje punën me projekte të tjera.

Rama tha se falë rishikimit të buxhetit, po diskutohet edhe për rrugën që lidh Lushnjën me Karbunarën, për të cilën tha se është një tjetër rrugë skandaloze.

Sipas tij, investimi në atë rrugë do të japë përsëri një vlerë të shtuar, jo thjesht nga pikëpamja e komoditeti, por edhe nga pikëpamja ekonomike dhe pikëpamja sociale./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit