Transmetuar më 23-09-2014, 13:19

Tiranë, 23 shtator 2014, NOA.al- Prokuroria e Përgjithshme ka publikuar akuzat për tre deputetë, duke konfirmuar marrjen e tyre si të pandehur.

Deputetët që po hetohen janë socialistët Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka, të akuzuar për dhunë ndaj deputetit demokrat Gent Strazimiri, nën akuzën e  goditjes për shkak të detyrës.

Gjithashtu akuza i është komunikuar edhe deputetit demokrat Astrit Veliaj, i akuzuar për veprat penal ndërtim i paligjshëm dhe shkatërim prone.

Prokuroria e Përgjithshme bëri me dije se hetimi për deputetët Ndoka dhe Ndreu nisi pas kallëzimit të bërë më 14 korrik, nga Edi Paloka si kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Zëdhënësja e Prokurorisë deklaroi se Ndoka e Ndreu kanë goditur për shkak të detyrës kolegun e tyre Strazimiri, ku gjatë veprimeve të nevojshme proceduriale, janë sekuestruar kamerat e sigurisë, ku evidentohet goditja e deputetëve socialistë ndaj deputetit demokrat.

Sipas pamjeve filmike ka qenë Ndoka ai që e ka goditur i pari Strazimirin dhe pak më vonë edhe Ndreu.

Në qëndrimin e Prokurorisë së Përgjithshme thuhet se deputeti Strazimiri është goditur për shkak të deklaratave politike të bëra më 10 korrik 2014, duke bërë që Ndoka dhe Ndreu, të merren të pandehur nën akuzën e goditjes për shkak të detyrës.

Lidhur me rastin e deputetit Veliaj, bëhet e ditur se hetimi ndaj tij ka nisur pas kallëzimit të një qytetareje nga Fieri.

“Një qytetare nga Fieri ka denoncuar zotin Veliaj se “UFO shpk” ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme në tokën e saj një ndërtesë me 4 dhe 6 kate, i cili vepron si universitet privat dhe është në administrim dhe pronësi të deputetit Veliaj. Bashkia e Fierit konfirmon se nuk ka dhënë asnjë leje për ndërtim në këtë zonë. Kjo ndërtesë ka zënë edhe një hapësirë në pronësi të Ministrisë së Brendshme. Subjekti “UFO shpk” ka shkatërruar godinat shtetërore për të ngritur ndërtesën e tij, për këtë arsye kallëzimi penal ndaj Veliaj është bërë si përfaqësues ligjor i “UFO shpk”. Veliaj ka konsumuar elementët e veprave penale ndërtim i paligjshëm dhe shkatërrim prone”, thuhet në qëndrimin e Prokurorisë.

Në përfundim nënvizohet se hetimi penal ndaj tre deputetëve u krye nga prokurorët e drejtorisë së hetimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe materialet në ngarkim të tyre i kaluan Gjykatës së Lartë, e cila ka kompetencën për gjykimin e zyrtarëve të këtij niveli.

Qëndrimi i plotë i Prokurorisë

Prokuroria e Përgjithshme ka ngritur akuzë për 3 zyrtarë, me funksion deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Deputetët Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu janë marrë në cilësinë e të pandehurve, pasi akuzohen për veprën penale të “Goditjes për shkak të detyrës”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal, në dëm të shtetasit Gent Strazimiri, me funksion deputet.

Gjithashtu, është marrë në cilësinë e të pandehurit edhe shtetasi Astrit Veliaj, me funksion deputet në Kuvendin e Shqipërisë, i akuzuar për veprat penale të “Ndërtimit të paligjshëm” dhe “Shkatërrim prone” të parashikuara nga nenet 199/a dhe 150 të Kodit Penal.

Hetimi penal i zyrtarëve me funksion deputet është zhvilluar nga prokurorët e Drejtorisë së Hetimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, bazuar në nenin 13 të ligjit Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë.

Hetimi ndaj shtetasve Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu ka filluar në bazë të kallëzimit të dorëzuar në date 14 Korrik 2014 nga deputeti Edi Paloka, në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Sipas kallëzimit, në datën 10 Korrik 2014, në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, deputetët Ndoka dhe Ndreu kanë goditur për shkak të detyrës kolegun e tyre Strazimiri.

Në kuadër të këtij procedimi, nga ana e grupit hetimor janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme proceduriale, janë marrë deklarimet nga personat e pranishëm në vendin e ngjarjes si edhe janë sekuestruar kamerat e sigurisë të ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë, ku evidentohet goditja ndaj deputetit Strazimiri.

Hetimet vërtetuan se gjatë kohës kur deputeti Gent Strazimiri ishte në ambientet e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë, pranë sallës plenare, ai është goditur me grusht nga deputeti Arben Ndoka. Pak momente më vonë deputeti, Gent Strazimiri është goditur edhe nga deputeti Pjerin Ndreu. Bazuar në veprimet hetimore, rezulton se deputeti Strazimiri është goditur për shkak të deklaratave politike që ka bërë në seancën e datës 10 korrik 2014.

Në përfundim të veprimeve hetimore, Prokuroria ka vendosur që të marrë si të pandehur deputetët Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, të akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Goditjes për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal.

Nga ana tjetër, hetimi per procedimin tjeter ndaj shtetasit Astrit Veliaj ka nisur në bazë të kallëzimit të një qytetareje nga Fieri, e cila pretendon se subjekti UFO sh.p.k, ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme në pronën e saj një ndërtesë 4 dhe 6 kate, në një sipërfaqe 11.000 m2. Kjo ndërtesë është ngritur me qëllim ushtrimin e një aktiviteti privat nga subjekti UFO shpk, i cili rezulton se është në pronësi dhe administrim të deputetit Veliaj.

Bashkia e Fierit, në kuadër të veprimeve hetimore për këtë procedim penal, konfirmon zyrtarisht se nuk ka dhënë asnjë leje për ndërtim në këtë zonë.

Gjatë hetimit ka rezultuar se kjo ndërtesë ka zënë edhe një hapësirë, e cila është në inventarin e Ministrisë së Brendshme.

Deri në vitin 2012, në këtë truall kanë qenë zyrat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier. Pas zhvendosjes së zyrave të këtij institucioni në një ambjent tjetër, në inventarin e Ministrisë së Brendshme kanë mbetur godinat ku ushtronte funksionet Drejtoria e Policisë së ketij Qarku. Subjekti UFO sh.p.k, në mënyrë të paligjshme, ka shkatërruar këto godina shtetërore, me një vlerë që llogaritet në rreth 10 milionë e 500 mijë lekë për të ngritur ndërtesën e tij.

Për këtë arsye, Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj shtetasit Astrit Veliaj, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të subjektit UFO sh.p.k.

Në përfundim të veprimeve hetimore, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme është arritur në përfundimin se shtetasi Astrit Veliaj ka konsumuar elementët e veprave penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Shkatërrim prone”.

Materialet në ngarkim të të pandehurve me funksionin deputet do t’i përcillen Gjykatës së Lartë, e cila është kompetente për gjykimin në juridiksion fillestar për zyrtarë të këtij niveli./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit