

Tiranë, 23 shtator 2014, NOA.al- Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, në një konferencë lidhur me luftën kundër lëndëve narkotike nga periudha mars-shtator 2014, e cilësoi si një aksion të kurorëzuar me sukses.
Ai tha se qeveria e kaluar nuk kishte lëvizur asnjë gisht për të asgjësuar lëndën narkotike. Tahiri deklaroi se parcela e parë e mbjellë me kanabis u asgjësua në mars 2014 në Berat dhe nga aty filloi gradualisht aksioni më i madh antidrogë i realizuar ndonjëherë në Lazart.
Këtë aksion ai e cilësoi si një simbol të sfidës së hapur për të mos bërë asnjë hap pas në luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike, ndërsa si një tjetër operacion të kurorëzuar me sukses cilësoi atë në Dukagjin, ku për shkak të terrenit të vështirë tha se u bë edhe më e komplikuar situata.
“Nga marsi deri në sot janë asgjësuar 2214 parcela me lëndë narkotike në gjithë Shqipërinë, ashtu sikundër janë asgjësuar 530 mijë rrënjë kanabis. Këto shifra janë më shumë se sa rrënjët e shkatërruara në gjashtë vitet e fundit. Janë sekuestruar 107 tonë marijuanë. Janë proceduar penalisht mbi 1000 persona, janë shkatërruar 41 grupe kriminale. Tashmë mund të them me krenari se Shqipëria nuk është më vend kultivimi dhe trafikimi për lëndët narkotike”, u shpreh Tahiri.
Ai ngriti pikëpyetje se ku kanë shkuar paratë e lëndëve narkotike deri dje. Në vijim shtoi se me ato para është furnizuar bota e krimit, është korruptuar drejrësia dhe demokracia.
Në mbyllje ministri Tahiri tha se qeveria shqiptare nuk mjaftohet me kaq dhe nuk do të ndalet, ndërsa shtoi se ka ende shumë punë për të bërë.
SASIA E DROGËS TË ASGJESUAR (Janar – Shtator 2014)
2214 Parcela të shkatërruara
798 Parcela të identifikuara nga Interforca
530 177 Bimë të asgjesuara
101.7 TON Marijuanë e kapur
62 KG Heroinë
23 KG Kokainë
Vlera monetare e drogës së kapur në treg = 6.4 mld euro
PROCEDIME PENALE
1918 Procedime penale
1058 Persona të arrestuar
604 Persona ndiqen në gjendje të lirë
187 Persona në kërkim
41 Grupe kriminale
9 Kryetarë Komunash e Kryepleq
SHIFRA KRAHASUESE
2008 – 2013 = 503 626 Bimë të asgjesuara
2014 = 530 177 Bimë të asgjesuara
2005 – 2013 = 96 Ton Marijuanë e kapur
2014 = 101.7 Ton Marijunë e kapur /a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





