Transmetuar më 22-09-2014, 17:02

Tiranë, 22 shtator 2014, NOA.al- Plagosja e ndodhur në një shkollë në fshatin Gjormë të Vlorës, ka sjellë reagimin e Partisë Demokratike.

Koordinatorja për mediat në PD, Silvi Bardhi deklaroi se ngjarja e ndodhur sot në shkollën e Gjormit në Vlorë, ku djali i mësueses kujdestare qëlloi me pistoletë bashkëmoshataren e tij, është treguesi i gjëndjes së rendit në vend dhe i gjëndjes së arsimit.

“Kur djali i mësueses kujdestare shkon me pistoletë në shkollë dhe qëllon një nxënëse, janë goditur dy kolonat që mbajnë një shoqëri, rendi dhe arsimi. Por edhe më e rëndë bëhet ngjarja, kur mësohet se në këtë krim është përfshirë edhe policia duke i bërë hetimet në favor të autorit. Burimet e Partisë Demokratike tregojnë se ka një orientim për ta raportuar ngjarjen si një plagosje të lehtë, sikur pasojat janë disa gërvishtje. Ndërkohë që e plagosura i është nënshtruar një operacioni të vështirë në sallën e reanimacionit ku i është hequr një plumb në kokë, dhe falë punës së mjekëve ajo ka dalë nga rreziku për jetën”, u shpreh Bardhi.

Sipas saj, duhet shkruar gërvishtje, sepse familja e autorit është e njohur si aktiviste e mbështetëse e Partisë Socialiste.

Ajo shtoi se duhet manipuluar ngjarja, sepse drejtoresha e shkollës, e afërme e autorit, është kryetarja e Partisë Socialiste të zonës.

Në emër të Partisë Demokratike, Bardhi e denoncoi ngjarjen dhe i kërkoi policisë të bëjë detyrën që i ngarkon ligji dhe të mos bëjë shërbime e favore politike para kësaj ngjarjeje të rëndë./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit