
Massimiliano Allegri është basti i fituar i Juventusit. Në ndrejtimin e tij Zonja e Vjetër jo vetëm nuk ka ndryshuar fytyrë, por ka marrë pikë të plota në këtë fillim sezoni.
Bepe Marota e pranon se ekzistonte një lloj skepticizmi mbi ish-trajnerin e Milanit.
"Allegri ka shumë merita. Nuk ishte i panjohur për ne, pasi kishte bërë mirë te Milani. Ai është një trajner fitues dhe i plotësonte kushtet për të marrë drejtimin e Juves.
Impakti mund të kishte qenë negativ pas 3 titujve radhazi, sepse trajneri është lideri i një grupi. Gjithsesi pas një trajneri dhe një skuadre, duhet të jetë një shoqëri e fortë, e cila duhet ta mbështesë gjithmonë teknikun.”
Rivaliteti për titullin kampion duket se do të jetë një garë dyshe mes Juventusit dhe Romës. Këtë perceptim ka edhe drejtuesi i lartë bardhezi.
"Fillimi i kampionatit na sugjeron që do të jetë një rivalitet kokë më kokë, Juventus – Roma.
Fakti që të dyja skuadrat kanë grumbulluar pikë të plota në 3 ndeshjet e para do të thotë se janë favoritet kryesore për titull."
Më pas një koment mbi zërat rreth një interesimi të mundshëm për Balotellin. "Balotelli nuk ka qenë kurrë objektivi ynë dhe në asnjë momemt nuk kemi hyrë në bisedime për ta sjellë në Torino.
Ndërsa Imobile ka shpjeguar se kishte dëshirë të shkonte te Dortmundi. Gjithsesi jemi të kënaqur me blerjen e Moratas dhe Coman"
Championsin apo Serinë A, cilin trofe preferon më shumë Marota? "Nëse do të kisha mundësi të zgjidhja, do të thosha Championsin. Po të mundja, do t’i merrja të dyja.”
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





