Transmetuar më 21-09-2014, 18:08

Ajaxi tregoi dhëmbët në klasiken e futbollit holandez duke mposhtur për të 4-tën herë rresht në Eredivisie, Feynoordin e duke i zhytur këta të fundit në një krizë të thellë.

Një gol i mbrojtësit të djathtë Van Rhijn 4 minuta nga fillimi përcaktoi fatin e kësaj sfide, që u mbyll me rezultatin 0-1 në favor të kryeqytetasve pavarësisht përpjekjeve të shumta të skuadrës nga Roterdami për të vendosur baraspeshën.

Në stadiumin “De Kuip” ndeshja nisi me një Feynoord të uritur për gol, që në harkun e tre minutave goditi dy herë traversën, citon Supersport.

Pas vetëm 50 sekondave lojë ishte kapiteni i skuadrës së drejtuar nga Fredd Rutten, Jordie Clasie ai që nga brenda zonës tronditi traun e portës së mbrojtur nga Cillessen. Ndërsa në minutën e tretë të njëjtin fat pati edhe sulmuesi Schaken, që me kokë e stampoi topin sërish në traversë.

Shprehja e famshme në futboll: “Po nuk shënove do të pësosh”, zuri vend edhe në këtë sfidë, pasi vetëm 60 sekonda më pas Ajaxi kaloi në avantazh.

Mbrojtësi i djathë, Ricardo Van Rhijn realizoi një gol fantastik me një goditje dënimi nga një distancë e konsiderueshme, madje portieri i vendasve ose më saktë ish portieri i kampionëve të Holandës Keneth Vermer, as që nuk e pa fare predhën që lëshoi Van Rihjn.

Gjithsesi goli i disavantazhit nuk e demoralizoi plotësisht Feynoordin, që në minutat në vazhdim u hodh i gjithi në sulm në kërkim të barazimit, barazim që nuk erdhi asnjëherë, kjo falë edhe aftësive të jashtëzakonshme të portierit të harkëtarëve Cillessen dhe pasaktësisë së lojtarëve të Feynoordit përpara portës.

Me këtë sukses, Ajaxi i Amsterdamit u ngjit në kuotën e 12 pikëve pas 6 javëve të para të Eredivisies, 3 më pak sesa kryesuesit e Psv Eindhoven-it që nga ana e tyre mposhtën me rezultatin e thellë 4-0 skuadrën e Cambuur brenda në Philiph Stadion.

Për skuadrën e drejtuar nga trajneri Philiph Cocu, ishte sulmuesi Luke De Jong ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 21-të përpara se Willems tetë minuta më pas ti çonte shifrat në 2-0.

Në pjesën e dytë, Psv-ja shënoi edhe dy herë të tjera me Bruma dhe Maher duke fiksuar rezultatin përfundimtar të këtij takimi në 4-0.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit