Transmetuar më 20-09-2014, 18:32

Nga Ruben Avxhiu

Çfarë shembulli i shkëlqyer i demokracisë liberale në veprim ky referendum i Skocisë për pavarësi. Sidomos i vendosur në kontekstin e viteve 90 të Ballkanit, ku e vetmja rrugë drejt pavarësisë ishte ajo e dhunës së përgjakshme ndëretnike. Ndryshe nga tanket dhe propagandën e urrejtjes që tregoi Jugosllavia serbo-centrike ndaj aspiratës së popujve të saj për shkëputje, Mbretëria e Bashkuar me qendër në Londër e lejoi Skocinë të vendoste vetë nëse dëshironte të mbetej në Britani. Jo vetëm kaq, por e lejoi që të zgjidhte vetë rregullat se kush do të kualifikohej për të votuar dhe kush jo. Nuk ishte një zgjedhje e thjeshtë. Pavarësia është joshëse. Po është vështirë të largohesh nga një vend që të lejon të largohesh lehtë. Ashtu sikur të bëhet e domosdoshme që të largohesh nga një bashkim ku të mbajnë pa dëshirë e ku nuk ke një zgjedhje. Si çdo fushatë politike edhe kjo e Skocisë ishte e mbushur plot me emocione, tension, dyshime dhe ekzagjerime. Shumë nga premtimet dukeshin tepër të bukura për të qenë të vërteta. Disa nga partizanët e ndarjes ishin vërtetë frymëzues me pasionin e tyre për ta parë të pavarësuar atdheun e lashtë. Nga ana tjetër, megjithë të metat 300 vite histori e përbashkët kanë lënë gjurmë që nuk mund të mohohen. Në fund, argumentet më të shumtë ishin ekonomikë dhe jo patriotikë dhe kulturorë. Dhe ky ishte një tjetër mësim. Se është lehtë të këmbëngulësh për ta pavarësuar vendin tënd. Por pavarësia vjen më përgjegjësi historike. Se pastaj bëhesh ti përgjegjës për vuajtjet dhe problemet e popullit tënd. Një pjesë e elitës kosovare duket se e ka shpërfillur këtë pjesë të detyrës, kur është rehatuar në kurriz të popullit në emër të të cilit kërkoi pavarësi nga Serbia. Pavarësia mund të kthehet në diçka të tmerrshme nëse një regjim si ai komunist në Shqipëri, e përdor pavarësinë si një mur për të lënë botën jashtë, në mënyrë që të masakrojë i qetë popullin e vet. Në mënyrë të ngjashme diktatorët si Millosheviçi që e duan pavarësinë për kombin e tyre por ua mohojnë të njëjtën të drejtë të tjerëve. Madje e përdorin si justifikim për masakrimin e popujve të tjerë duke kërkuar në emër të pavarësisë dhe sovranitetit, mosndërhyrje në punët e brendshme. Çfarë mësimi i madh për vende si Rusia ku, popujt që kërkuan pavarësi si ai i Çeçenisë u përballën me një fushatë terrori një dekadë të gjatë. Për rusofolësit në Ukrainë që së pari shkrepën pushkën që u zgjati diktatori fqinj e pastaj e mbuluan dhunën me propagandë separatiste. Çfarë ndryshimi mes referendumit qesharak në Krime, nën kërcënimin e tankeve dhe referendumit të lirë e të hapur të skocezëve në Britani. Nuk ka fushatë perfekte dhe në Mbretërinë e Bashkuar pati ankesa ndaj medias për anim politik, por argumentet e të dy palëve nuk munguan në asnjë ekran. Deri në natën e fundit të referendumit ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme të ndiqje debatet. Ishte akoma edhe më e bukur për vëzhguesin e jashtëm dhe të paangazhuar për të shijuar këtë ushtrim të lirisë dhe demokracisë. Në fund, ajo që karakterizon demokracitë liberale dhe vijon të mungojë në trojet tona. Fitues modestë dhe kokulur dhe humbës krenarë që japin dorëheqje. Asnjë zgjedhje nuk trajtohet si fundi i botës, por si një stacion drejt vijimit të udhës. Skocia nuk humbi mbrëmë. Përkundrazi, skocezët në vend të pavarësisë zgjodhën më shumë të drejta e vetëqeverisje brenda Mbretërisë së Bashkuar. Në muajt dhe vitet e ardhshme, bashkimi do të kalojë në një proces shumë interesant reformimi për t’u dhënë jo vetëm skocezëve por edhe popujve të tjerë më shumë zë në vendimet që merren për jetën e tyre të përditshme. Një ankesë e ditës ka qenë se decentralizimi sjell në fund shkëputjen. Vota e Skocisë dëshmoi se decentralizmi nuk sjell domosdoshmërisht shkëputje. Sa më shumë liri në një bashkim aq më shumë dëshirë për të qëndruar aty. Ishte një ngjarje e jashtëzakonshme për një kontinent si Europa që është shumë i copëzuar në identitete të ndryshme kulturore e etnike, por që jeton në një epokë globaliste kur bashkimi i tregjeve është domosdoshmëri mbijetese. Shumë konflikte të ngjashme në Europë qëndrojnë diku mes Ballkanit dhe Skocisë, duke variuar në bazë të historisë dhe standardeve demokratike të vendit ku gjallojnë. Vetë shqiptarët panë po dje të ringjallej hija e një tjetër nisme për pavarësi ajo e Iliridës në Maqedoni. Në Malin e Zi, Malësisë vazhdon t’i mohohet statusi i komunës, ndonëse ka qenë komunë kur Mali i Zi nuk ka qenë ende shtet. Në Serbi, Lugina e Preshevës po gërryhet ngadalë për t’ia prishur entitetin si një njësi që meriton status të veçantë. Sanxhaku dhe Vojvodina gjithashtu e shohin veten si të tradhtuar nga historia. Ne kemi Çamërinë në jug që jo vetëm nuk pati një shans për të vendosur vetë, por iu vodh Shqipërisë pavarësisht nga përbërja kryesisht shqiptare e pastaj në mënyrë brutale iu përmbys raporti etnik. Në vend të njohjes së krimit, Greqia “europiane” tregon me gisht nga Himara dhe Shqipëria e jugut, një pretendim i vjetër territorial që është thjesht në kundërshtim flagrant me dëshirën e njerëzve që jetojnë aty. Maqedonia është një rast akoma më i brishtë sepse ekzistenca e saj është në dyshim nga pothuajse të gjitha shtetet fqinje. E gërshetuar me dobësim të demokracisë në vend dhe korrupsionin e gjerë, ku kanë ngjyer gishtin edhe partitë shqiptare, nuk ka si të mos prodhojë destabilizim dhe kërkesa për shkëputje. Ka një përshtypje të përgjithshme se po kalohet nga një qëndrueshmëri botërore në një epokë kur gjithçka është e ndryshueshme. Kohë të tilla frymëzojnë ëndrra të bukura por rrezikojnë edhe luftëra me tragjedi të përmasave të tmerrshme si ato të luftërave botërore. Në këtë rrokullisje të pandalueshme të ngjarjeve trazuese, kjo votë e qetë dhe e arsyeshme në Skoci, është mbase një thirrje për realizëm dhe njerëzi. Një shembull se është e mundshme për ndryshime graduale e të menduara. Një kujtesë se jemi edhe individë me ndërgjegje e zgjedhje personale përveçse pjesë e pashqitshme e turmave historike me misione e flamuj. Deri në luftën apo referendumin e ardhshëm, le të gjejmë të gjithë pak paqe te ky moment në histori.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit