

Më poshtë do të gjeni një shkrim të publikuar në mediat italiane në lidhje me Shqipërinë, shqiptarët, krizën, tranzicionin dhe mënyrën se si ne e shikojmë dhe ndërtojmë të ardhmen në Shqipëri.
Ishte 8 gushti i vitit 1991 kur “Vlora” një anije mallrash e ndërtuar në Itali në vitet ’60-të mbërriti në portin e Barit. Në bordin e saj ishin mbi 20 mijë shqiptarë. Burra, gra, fëmijë, klandestinë të çdo moshe. Ku do të shkojnë të jetojnë? Çfarë do të hanë? Si do të jetojnë? Ishin këto disa pyetje normale që çdo italian, dhe jo vetëm ia bënte vetes. Pikërisht, nga këto pyetje është bërë e mundur që për shqiptarët të krijohen steriotipe të tilla si kriminelë dhe persona nga të cilët duhet të bësh kujdes se të godasin pas shpine.
Duhet pranuar se disa prej këtyre personave u adaptuan lehtësisht në organizatat kriminale. Por jo të gjithë. Shumë prej tyre iu futën punës së ndershme, gjetën një punë e më pas një shtëpi për të jetuar. Disa nisën edhe shkollat dhe dolën me nota të mira. U integruan dhe prej disa kohësh kanë nisur të kthehen sërish në atdheun e tyre.
Këtë herë me avionë, jo vetëm me anije, siç erdhën. Vetëm një orë udhëtim mjafton për të mbërritur në Tiranë me të gjitha kushtet dhe komoditetin që ofron një udhëtim. Ata janë kthyer pikërisht për të hapur biznese dhe aktivitete të reja në vendin e tyre, që kanë të bëjnë pikërisht me ato që kanë mësuar gjatë këtyre 20 viteve në dhè të huaj.
Janë kthyer sepse duan të ngrenë një shtet dhe një qytetërim të ndryshëm nga ai që ia mbathën. Ky fakt është rrëfyer edhe nga Klaudia Bumçi, redaktore e Radio Vatikani, me origjinë shqiptare.
“Prej viteve ’90 e deri më sot, shumë gjëra kanë ndryshuar. Detyra kryesore ishte të rindërtonin një shtet, i cili dilte nga një diktaturë komuniste 50 vjeçare, ku çdo gjë ishte e shtetit dhe nuk ekzistonte prona private. Kalimi nga diktaturë në demokraci nuk është aspak i lehtë. Duheshin mësuar shumë gjëra, duke nisur nga ato më banalet, siç mund të jenë respektimi i rregullave. Dalëngadalë, me shumë vështirësi por edhe me shumë vullnet e dëshirë, gjërat ndryshuan dhe u përmirësuan. Më parë njerëzit ia mbathnin nga varfëria, nga pasiguria e jetesës, nga indoktrinomi politik, ndërsa sot jo më. Shqiptarët janë të lirë të udhëtojnë në Europë pa vizë. Sot askush nuk do të ikë nga Shqipëria. Vendi është në rritje, ekonomia kombëtare është mjaft aktive, njerëzit punojnë dhe bëjnë plane për të ardhmen. Kjo është edhe arsyeja kryesore pse shumë nga emigrantët e larguar në vitet ’90 kanë vendosur të kthehen sërish në shtëpitë e tyre. Nuk janë vetëm nga Italia po edhe nga Greqia e shtete të tjera”, është shprehur Bumçi.
Kthehen me një diplomë ekonomie, drejtësie apo marrëdhëniesh ndërkombëtare në xhep. Ose edhe thjesht me një bagazh eksperience të madhe, si frut i orëve të shumta të punës. I tillë është edhe Muharrem Çobo, me origjinë nga Berati.
Në fillimet e viteve ‘90 ai studioi drejtësi në Trento. Për të mbajtur veten ekonomikisht ka punuar si kamerier në një lokal vere në qytet. më pas ai njohu Danilo Chini i cili e bindi të kthehet në vendin e tij dhe me paratë e grumbulluara gjatë punës, të blinte një tokë në qytetin e lindjes. Sot ai prodhon verë. Çobo ka një xhiro vjetore të biznesit të tij rreth 100 mijë euro. Ja pra, edhe kjo është një histori suksesi për vendin e shqiponjave.
Është edhe Edmond Angoni, i cili nga Shkodra mbërriti në Venecia në vitin 1991, ku mësoi të pikturojë dhe të krijojë maskat tipike veneciane. Sipas Bumçit, “sot, Arlecchino di Scutari është i vetmi vend në Shqipëri që prodhon maska për fytyrën, të ngjashme me ato veneciane, gjë që bën të mblidhen miliona turistë në këtë qytet në sezonin e karnavaleve. Ka edhe persona të cilët kanë mësuar se si të punojnë drurin në Veri të Italisë dhe kanë hapur në vendet e tyre të lindjes punishte të ndryshme, nga të cilat sigurojnë të ardhura të kënaqshme. Mundësitë që ofron tregu në Shqipëri janë më të shumta sesa ato që ofrohen sot në Itali. Sa i takon taksimit është krejtësisht ndryshe. Ka më pak burokraci, ekonomia është në fazë zhvillimi dhe ka vend për të gjithë, veçanërisht për ata që kanë ide të reja”.
Në Shqipëri ka edhe shumë italianë. Deri më tani numërohen rreth 19 mijë të tillë të cilët jetojnë në qytetet e këtij vendi dhe vetëm në Tiranë janë ngritur mbi 500 ndërmarrje me sipërmarrës italianë.
“Që në vitet ’90 italianët vinin në Shqipëri në kërkim të mundësive të reja profesionale. Kanë sjellë “Coca Cola-n”, shumë modele veshmbathjesh, produkte të shumta të cilat janë mirëpritur nga vendi. Në Shqipëri mozzarella nuk ekzistonte. Sot prodhohet. Deri vitin e shkuar Italia ishte partneri i parë tregtar i Shqipërisë”, ka thënë Bumçi.
Aktualisht në Shqiëpri po ndodh një brom i vërtetë ekonomiko-social, siç ndodhi në Itali në vitit ’60. problemet nuk mungojnë. “Ekziston korrupsioni, ashtu si edhe në Itali. Në Shqipëri nuk mund të gjesh parajsën. Shumë gjëra bëhen në rrugë joligjore, por edhe në këtë aspekt po bëhet shumë. Problemet e vërteta janë ato të përditshmet me të cilat haset çdo qytetar dhe që nuk i jep dot zgjidhje. Për shembull, në verë, në Tiranë, uji është i kufizuar. Në çdo shtëpi shkon në orare të caktuara, nuk ka gjatë gjithë ditës. Sistemet e operimit dhe të shpërndarjes janë thuajse të rrënuar dhe kanë nevojë për riparime e rinovime. Këto janë mungesa të cilat duhet ti zgjidhë shteti nëpërmjet politikave të ndjekura, por që kërkojnë fonde të cilat nuk disponohen në masën e duhur”, vijon të thotë kronistja e Radio Vatikan.
Tirana ka pësuar një ndryshim të popullsisë nga 300 mijë banorë në 1.2 milionë brenda shumë pak vitesh. Kanë lindur lagje të reja të cilat kanë nevojë për drita, ujë, rrugë, shkolla, spitale etj.
“Infrastruktura është një pjesë shumë e rëndësishme që ndikon në jetën e njerëzve. Buka e përditshme nuk i mungon askujt, por nëse sëmuresh dhe drejtohesh në spital, nuk e gjen menjëherë mjekimin e nevojshëm. Kemi mjekë të mrekullueshëm, por nuk janë kushtet e duhura. Thuajse të gjithë e kanë një mjet lëvizës privat, ajo që mungon është rruga. Çfarë mund të bëjë një qytetar i vetëm? Është shteti që duhet të ndërhyjë. Por gjithçka përballohet me gëzim. Nuk vihet re kriza psikologjike që dallohet tek italianët. Punohet shijohen frytet e lodhjes. Shqiptarët kujtojnë shpesh se tashmë kanë shumë më shumë mundësi se sa kishin më parë dhe ndaj ndihen optimistë. Problemet nuk mungojnë, por ka shpresë për të ardhmen. Kjo është ajo që ju mungon juve, italianëve”, përfundon Klaudia Bumçi. /a.s/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





