Transmetuar më 19-09-2014, 19:58

Tiranë, 19 shtator 2014, NOA.al – Ministrja e Mbrojtjes e Italisë, Roberta Pinotti, i ka shprehur zëvendës Kryeministrit Niko Peleshi, vlerësimet që Italia ka ndaj rolit stabilizues të Shqipërisë në rajon.

“Italia vlerëson dhe ju përgëzon për rolin stabilizues që Shqipëria luan në rajon dhe përpjekjet e saj për të ndërtuar ura komunikimi e bashkëpunimi me vendet e rajonit”, tha Pinotti.

Më herët ajo vlerësoi kontributin e Shqipërisë ndaj paqes e stabilitetin dhe shprehu falenderimin e saj për mbështetjen që qeveria shqiptare u ka dhënë forcave kurde në Irak në përballjen e tyre me Shtetin Islamik.

Një tjetër pikë, ku Ministrja Pinotti shprehu përgëzimet e qeverisë italiane lidhej me përpjekjet e qeverisë shqiptare për të luftuar korrupsionin. “Ne e dimë se sa e vështirë është kjo luftë, por i kemi ndjekur me kënaqësi dhe vëmendje të veçantë përpjekjet maksimale të qeverisë shqiptare në këtë drejtim”, tha ministrja italiane.

Mësohet se Zëvendëskryeministri e garantoi Ministren Pinotti për vendosmërinë e Shqipërisë për të vazhduar të luajë rolin e një kontribuuesi ndaj paqes dhe sigurisë në botë, por edhe për vendosmërinë e qeverisë për të punuar për integrimin ekonomik të rajonit.

“Mbështetja e Italisë, dhe e partnerëve të tjerë strategjikë të Shqipërisë, është një garanci më tepër për suksesin e këtij projekti”, u shpreh ai. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit