Transmetuar më 18-09-2014, 21:52

Nga Arben Manaj

Të jesh a të mos jesh, pjesë e Britanisë; kjo duket se është dilema e sotme skoceze. Fjala është për një vend që është pjesë e Britanisë, me Anglinë dhe Uellsin që nga viti 1707, madje më përpara se të ekzistonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me dy herë më shumë jetëgjatësi sesa Gjermania, edhe pse disa shtete ia kalojnë për nga vjetërsia, si Rusia, Franca, Kina, Japonia apo Spanja.

Ka qenë një martesë që ka ndryshuar faqen dhe fatin e botës moderne deri diku. Ndryshe nga vendet e mësipërme, që prej 307 vjetësh, asnjë fuqi e huaj, për shkak të këtij bashkimi, nuk e ka pushtuar më Londrën si kryeqytet, p.sh., dhe as nuk ka pasur gjatë këtyre 300 e ca vjetëve as ndonjë revolucion të përgjakshëm për të ndryshuar rendin politiko-shoqëror.

Gjithsesi, të dyja vendet përpara “Aktit të Bashkimit”, kanë pasur një histori mjaft të përgjakshme mesjetare e më tej, ku popujt e të dy vendeve kanë luftuar kundër njëri-tjetrit në luftëra civile permanente.

Skocia dhe Anglia, vendet më të mëdha të Britanisë së Madhe e kanë pushtuar njëra-tjetrën, e një mbret e kanë ekzekutuar ndërkohë që ekstremizmi fetar ka përçarë këto komunitete ndër shekuj.

Por, më 1707, e pabesueshmja ndodhi dhe Skocia iu bashkua Anglisë dhe Uellsit dhe këto vende të varfra bashkuan gjithçka kishin, për të ndryshuar fatin e tyre dhe të botës, ku Britania filloi të sundojë detet dhe të ishte në atë botë, Amerika e sotme.

Aktiviteti ekonomik e intelektual, eksperimentimet shkencore dhe biznesi ishin të padëgjuara më parë në botë. Pa konkurrencën e brendshme historike, banorët e Anglisë e Skocisë dhe tërë asaj që njihej si Britania e Madhe, mahnitën botën me energjinë e tyre dhe reaksionin zinxhir që çoi në krijimin e botës moderne.

Një potencial i jashtëzakonshëm britanikësh doli në pah. Anglezi Çarls Darvin revolucionarizoi mënyrën se si e shikonin vetveten, skocezi Adam Smith na tregoi se si funksion ekonomia e tregut. Sot katër nga dhjetë universitetet më të mira në botë janë në Britani, sipas një studimi të dy ditëve më parë.

John Logie Baird, në qytetin e Hastings në jug të Anglisë, ndërtoi aparatin e parë televiziv në botë me mjete primitive; një palë gërshërë e drita biçiklete.

E më pas, Flemingu, nobelisti i madh, prodhoi në një laborator të Londrës penicilinën, që shpëtoi miliona jetë njerëzish.

E sot, dhe nesër padyshim, nëse fiton vota Pro, nuk do të ketë më Britani të Madhe.

Pa Skocinë, një votë Pro do të jetë fillimi dhe jo fundi, i një krize politike dhe ekonomike, që sipas atyre që janë kundër, do të bëjë që banorët e ishullit të kthehen kundër njërit-tjetrit, ndërkohë që një nga aspektet më frymëzuese të Unionit ka qenë pikërisht unifikimi i gjuhëve të ndryshme, etnive dhe vendbanimeve të ndryshme në një harmoni thuajse perfekte.

Edhe pse referendumi ka marrë notat e një përzgjedhjeje politike, e rëndom si ato në zgjedhjet e përgjithshme politike, edhe pse emri i Kryeministrit Kamerun është fjalë e ndyrë në gojën e disa skocezëve, ku konservatorët e tij kanë nxjerrë vetëm një deputet, sërish votimi do të jetë një vendim madhor, që do të ndikojë jetët e gjeneratave të tëra dhe do të jetë i parevokueshëm.

Siç ka paralajmëruar edhe elita politike e Londrës, një Skoci e pavarur nuk do të ketë sterlinën si monedhë të saj, vendet e punës do të lëvizin drejt jugut të ishullit e siguria e vendit do të dobësohet. Por mbështetësit e pavarësisë i kanë varur shpresat te të ardhurat nga nafta e Detit të Veriut, sipas modelit norvegjez.

Por edhe politikisht risqet janë të mëdha, ku Kryeministri britanik mund të humbasë postin nëse humbet Skocinë. Konservatorët kanë fituar vetëm një deputet nga 59 në zgjedhjet e fundit. Ndërkohë Anglia do të mund të mos ketë më qeveri laburiste, ku një numër i madh deputetësh laburistë vijnë nga zonat elektorale në Skoci.

Pas një Po-je hipotetike, Britania ose ajo që do të mbetet, një Britani e Vogël dhe Skocia, do të angazhohen në një proces të gjatë dhe tejet të vështirë negociatash për të ndarë çfarë kanë të përbashkët, që nga nafta e Detit të Veriut te bazat e nëndetëseve bërthamore, nga financat e deri tek anëtarësimi në Bashkimin Europian.

Pasoja do të mund të ketë edhe pozicioni i Britanisë si ekonomi e G8, një vend kryesor në NATO dhe BE, apo edhe vendi i përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Por edhe Mbretëresha nuk do ketë më të njëjtën mbretëri.

Britania nuk do të jetë më kjo që është, pasi do të rritet nëse nuk fiton opsioni i pavarësisë, dëshira për më shumë autonomi nga pjesët përbërëse të saj. Plus, që edhe Europa, nëse Skocia fiton pavarësinë, do të nxisë lëvizje të ngjashme separatiste në Spanjë e gjetkë.

Pa dyshim që, referendumi është sfida e brendshme më e madhe e ishullit që nga pavarësia e Irlandës, thuajse një shekull më parë.

Personalisht besoj në logjikën e ftohtë të skocezëve, që mendoj se do të adoptojnë parimin, “më mirë djallin që njoh”.

Sido që të jetë, edhe nëse katër milionë skocezët do të zvogëlojnë Britaninë e Madhe, ajo sërish e madhe do të jetë për nga madhështia e jo nga madhësia, pasi kjo e fundit nuk është vendimtare.  /Gazeta Shqip/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit