

Tiranë, 18 shtator 2014, NOA.al – Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka marrë pjesë në testimet e ushtarëve të rinj të cilët do të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura. Ministrja Kodheli u shpreh se ky është një mision fisnik dhe kushtetues.
“Misioni për të gjithë ata që do të futen në FA është më shumë se sa fisnik, është kushtetues, por është edhe i brumosur me një moral shumë të lartë. Ju duhet të jeni absolutisht më të mirët, ashtu siç janë në fakt edhe FA të Republikës së Shqipërisë”, është shprehur Kodheli.
Në Forcat e Armatosura do të punëson 250 ushtarë të rinj profesionistë. Testet po zhvillohen këto ditë në mjediset e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes. Në garë janë mbi 500 të rinj e të reja të regjistruar, të cilët do t’i nënshtrohen testit që është i ndarë në tre faza, ai fizik, intelektual dhe psikologjik.
Në ditët që vijnë do të bëhet testimi edhe për kandidatët që do të shërbejnë në Forcat Detare dhe Forcat Ajrore. Çdo ditë janë testuar në disiplinën e përgatitjes fizike rreth 50 kandidatë, të cilët i janë nënshtruar testeve rigoroze të shpejtësisë dhe forcës.
Janë rreth 500 kandidatë, mes të cilëve edhe mjaft femra, të cilët do t’i nënshtrohen këtij testimi. Kandidatët pjesëmarrës vijnë nga shumë rrethe të vendit dhe sipas kritereve të përcaktuara, të gjithë janë në moshën 18 deri në 27 vjeç dhe arsimi i mesëm është i detyrueshëm për çdo njërin prej tyre. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





