Transmetuar më 18-09-2014, 18:13

Karriera e tenistes aziatike më të suksesshme të të gjitha kohërave duket se ka ardhur në fund, citon Supersport.

Li Na tërhiqet, kështu të paktën paralajmëron CCTV-5, kanali shtetëror kinez, duke cituar një burim anonim që është në brendësi të stafit të sportistes 32 vjeçare.

Li Na është përkufizuar si tenistja më e mirë aziatike e të gjitha kohërave, e madje pa rivalë për sa i përket historisë së suksesit as në tenisin mashkullor në kontinentin e saj.

Një vlerësim ky që vështirë se mund të kontestohet duke qenë se ka fituar dy Grand Slam, Paris 2011 dhe Australian Open këtë vit, diçka që asnjë aziatik nuk e ka bërë.

Kei Nishikori iu afrua titullit në një Grand Slam para pak ditësh në New York, por Cilic ia mohoi suksesin në finalen e US Open.

Që në fillim të muajit ishin shfaqur zëra se Li Na do të donte ta mbyllte me tenisin, por Max Eisebund, menaxheri i saj i kishte përgënjeshtruar.

Por që nga fundi i korrikut Li Na nuk ka zbritur më në fushë, e kushtëzuar nga një problem në gju i cili nuk po rehabilitohet.

Telash që e ndaloi të shkonte në US Open dhe e bëri që të zbriste në vendin e 6 në klasifikimin e WTA.

Gjatë vitit të fundit sipas Forbes, Li Na ka fituar 23.6 milionë dollarë, prej të cilëve vetëm 5.6 milionë dollarë janë siguruar si shpërblime për sukseset, pasi pjesa tjetër është siguruar nga sponsorët.

Mjafton të përmendet se vetëm lajmi për tërheqjen e mundshme të Li Na në orët e fundit është komentuar nga mbi 7 milionë përdorues të Sina Weibo, rrjetit social më popullor në Kinë.

Për këtë arsye nuk duhet të çuditeni që lista e sponsorëve të tenistes aziatike është goxha e pasur, nga Rolex te Nike, nga Samsungu te Mercedes e Visa, për t’u kufizuar vetëm te disa nga markat më të njohura në perëndim.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit