Transmetuar më 17-09-2014, 19:21

Tiranë, 17 shtator 2014, NOA.al – Partia Demokratike, përmes deputetit Aldo Bumçi ka denoncuar ditën e sotme fyerjet e kryeministrit Edi Rama ndaj shqiptarëve, për të cilat Bumçi është shprehur se Rama i quan të padenjë.

“Sot tha që po të kishte qenë një ambasador shqiptar në vendin e ambasadorit mik, që ishte i pranishëm në aktivitet, ambasadori shqiptar do të ishte sjellë në mënyrë të çuditshme. Çfarë po thotë kryeministri?! Që shqiptarët si popull janë të padenjë, sillen në mënyrë të çuditshme. Çfarë e dallonte ambasadorin e vendit mik nga një ambasador shqiptar?! Fakti që nuk ishte shqiptar, se po të ishte shqiptar, do të sillej në mënyrë të çuditshme”, tha Bumci.

Ai u shpreh më herët se deklarata e sotme e Kryeministrit është e rëndë dhe e papranueshme. “Të gjithë e mbajnë mend se si përpara 6 muajve, në takimin vjetor të trupit diplomatik, ai i quajti ata hajvanë dhe injorantë. Sot në një aktivitet, që s’kishte lidhje me diplomacinë dhe politikën e jashtme, ai ofendoi përsëri ambasadorët shqiptarë dhe trupin tonë diplomatik. Kur kryeministri nuk ka respekt për ambasadorët e vendit të tij, kush do të ketë respekt”, u shpreh deputeti demokrat.

Sipas tij, Rama ul respektin për Shqipërinë dhe shqiptarët, për ata që kanë dhënë kontributin e tyre për liberalizimin e vizave, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, marrjen e statusit të vendit kandidat, njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Kryeministri sot jo vetëm që ofendoi për të disatën herë përfaqësuesit tanë në botë, por ai ofendoi popullin e tij. Ai mendon që është Kryeministër i një populli të padenjë. Kjo është e turpshme dhe skandaloze”, përfundoi deklaratën e tij Aldo Bumçi. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit