Transmetuar më 17-09-2014, 17:56

Tiranë, 17 shtator 2014, NOA.al – Partia Demokratike ka përshëndetur vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me pezullimin e vendimit të qeverisë për përgjimin e telefonave.

Deputeti Eduard Halimi, në një deklaratë për media u shpreh se vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetutese ndaloi menjëherë Edi Ramën të ndërhyje në jetën dhe komunikimet private të qytetarëve shqiptarë, të zgjaste syrin dhe veshin e kontrollit dhe kureshtjes perverse mbi këdo dhe në çdo moment të ditës.

Sipas tij, ky vendim ndaloi të ngrejë një regjistër të dhënash konfidenciale të shtetasve shqiptarë, veprim i cili do të vriste privatësinë e tyre si një e drejtë njerëzore, ligjore, kushtetuese

“Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetutese ndaloi Edi Ramën që të kontrollonte faceboouk-un e secilit, whatsapp-in, viberi-in, bbm-in aplikacione dhe programe që kryhen nga pjesa më e madhe e komunikimit mes shqiptarëve. Vendimi për të përgjuar komunikimet elektronike dhe korespodencën personale të gjithkujt ishte antikushtetues dhe antieuropian pasi cenon hapur të drejtën kushtetuese për mbrojtjen e jetës private dhe të dhënave personale. Shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës, Konventën e EDNJ-së, si dhe jurisprudencën e konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykatës Europiane të Drejtësisë së datës 8 prill 2014”, tha Halimi.

Ai shtoi më tej se marrja e të dhënave personale të abonentëve të celularëve është një dhunë qeveritare që nuk duhej të zbatohej për asnjë ditë, ndaj, sipas tij, vendimi i sotëm është një vendim drejtësie, i cili padyshim duhet përshëndetur si një shenjë e mirë se zëri i qytetarëve kundër dhunës qeveritare mund të dëgjohet, dhuna qeveritare mund të sprapset në rast se Institucionet funksionojnë, arrijnë t’i qëndrojnë në themelet e pavarësisë duke bërë të mundur ndalin veprimet arbitrare dhe autoritariste të kryeministrit, i cili, sipas deputetit demokrat kërkonte të bëhej Vëllai i madh duke përgjuar çdo qytetar të vendit.

“Partia Demokratike përshëndet mediat, shoqërinë civile dhe gjithë njerëzit e lirë të këtij vendit të cilët reaguan kundër këtij akti të rëndë antidemokratik, dhe mbështetet në kauzën e opozitës për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetareve shqiptare”, tha Halimi.

Ai bëri me dije se Partia Demokratike i kërkon Kryeministrit të zbatojë menjëherë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe vendimet e tjera të kësaj gjykate, të cilat janë të detyrueshme, janë të panegociueshme.

“Zbatimi i vendimit të gjykatave ka të bëjë me themelin e demokracisë, dhe kjo është një betejë që Partia Demokratike do ta bëjë çdo ditë, pa u lodhur, në emër të interesave të vendit”, përfundoi deputeti demokrat, Eduard Halimi. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit