
Vlorë, 17 shtator 2014, NOA.al – Dy italianë janë kapur nga policia shqiptare, ndërsa kanë qenë duke u larguar nga territori Shqiptar me anijet e tyre peshkarexha, me të cilat kanë qenë duke peshkuar pa dokumentacionin përkatës në territorin tonë.
Burime nga policia e Vlorës bëjnë me dije për NOA.al se ka nisur procedimi penal ndaj Onofrio Vito Comes, 42 vjeç dhe Pietro Paolo Tropiano, 61 vjeç, të dy të lindur dhe banues në Monopoli, Bari Itali me profesion peshkatar, kapiten anije.
Mësohet se procedimi në ngarkim të tyre ka filluar pasi duke qenë në drejtimin e peshkarexheve “LUPO” dhe “S. Rita” janë kapur nga shërbimet e Rojës Bregdetare, në bashkëpunim me agjenci të tjera ligjzbatuese të monitorimit të hapësirës detare, gjatë përpjekjeve për tu larguar nga ujërat e Republikës së Shqipërisë.
Policia e qytetit bregdetar informon se nga veprimet e kryera në lidhje me aktivitetin e peshkimit të këtyre mjeteve lundruese ka rezultuar se kishin kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin detar të Republikës së Shqipërisë dhe kanë qenë duke peshkuar në mënyrë të paligjshme.
Nga kontrolli që ju bë mjeteve lundruese të peshkimit janë gjetur, përkatësisht rreth 600 kg peshk në peshkarexhën “Lupo” dhe 600 kg peshk në peshkarexhën “S. Rita”, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale se bashku me të dyja anijet peshkarexhat. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





