
Inter, Manchester City, Milan dhe tani me Liverpulin. 4 fanella të ndryshme, i njëjti fund, topi në rrjetë me muzikën e Champions League në sfond, citon Supersport.
Balotelli në debutimin europian me të kuqtë, shënon një rekord pasi asnjë futbollist italian para tij nuk kishte shënuar në kompeticionin maksimal europian për klubet me 4 skuadra të ndryshme.
Në këtë mënyrë mund të kuptohet edhe arseja e buzëqeshjes në foton e pasndeshjes me Gerrard, heroi tjetër i mbrëmjes që vulosi fitoren 2-1 ndaj Ludogiorets në finale e po ashtu edhe fjalët e kapitenit me Gerrard që deklaroi:
“Duhet t’i japim Marios maksimumin e besimit. Shumë dyshojnë në kontributin e tij në lojën pa top dhe për sa i përket shpejtësisë, por e patë se çfarë bëri.
Meriton besim, puna jep gjithmonë frytet e saj, pastaj dikujt si Balotelli i mjafton një shans për të shënuar”.
Dhe në fakt Balotellit i mjaftoi një rast, fizik e teknikë në mesin e zonës, për të çuar topin pas shpatullave të Ludogorets, mjaftueshëm për të lënë shenjë në debutimin me të kuqtë në Champions si dhe për të merituar edhe fjalët e mira të trajnerit Rodgers, që deklaroi se italianit, klasi nuk i mungon.
Në të vërtetë nuk ka qenë mungesa e klasit problemi i vërtetë i Balotellit, por mungesa e impenjimit, apo dhe kapriçiot e tepruara jashtë fushe.
Mbetet për t’u parë nëse në aventurën e re me Liverpulin gjërat do të ndryshojnë. Për Balotellin është vetëm fillimi dhe besimi në skuadrën angleze nuk i mungon.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





