


Tiranë, 17 shtator 2014, NOA.al- Anëtarët e Komisionit të Ligjeve dhe të Ekonomisë së Partisë Demokratike, u mblodhën sot në ambjenet e selisë së PD, dhe diskutuan mbi ndryshimin që po bën qeveria në ligjin për Prokurimet Publike.
Duke e konsideruar ndryshimin që kërkon të bëjë qeveria, larg pritshmërisë së publikut dhe për një problem periferik, anëtarët e komisioneve shprehen shqetësimin për mungesën e transparencës që po ndodh me prokurimet publike, dhe u vendos ngritja e dy grupeve të punës, me deputetë dhe ekspertë.
Grupi i parë i punës do të informojë partnerët ndërkombëtarë për mungesën totale të transparencës në lidhje me prokurimet publike.
Dhe grupi i dytë i punës, do të analizojë mbi 1400 praktika të prokurimit të drejtpërdrejtë që ka bërë qeveria, ku ka dyshime serioze për korrupsion aktiv. Dhe konkluzionet do ti dërgohen Prokurorisë së Përgjithshme.
Në fjalën e tij deputeti Ridvan Bode deklaroi se, “Po tu hedhim një vështrim atyre pak statistikave që publikon qeveria lidhur me prokurimet publike dhe procedurat, do të vërejmë se ka një deformim të mëtejshëm dhe largim dhe mosrespektim të ligjit, por edhe efekte të tjera që rrisin mungesën e raportimit dhe transparencës publike. Në periudhën shtator 2013-maj 2014 në 1277 kontrata të lidhura me negociim, pa garë publike dhe pa pjesëmarrjen e kompanive të interesuara janë kursyer vetëm 20 milionë lekë ose 0.6 % të vlerës. Pra vlera e fituar nga kompanitë ka qënë 99.4 % e fondit limit dhe kjo dëshmon se nuk ka pasur garë se këtu gara nuk është përdorur si një instrument për të identifikuar vlerën reale përmes konkurencës të shëbrimit, apo investimit që ka kontraktuar qeveria”.
Nga ana e tij deputeti Bylykbashi, e cilësoi si një situatë vërtetë shqetësuese duke thënë se përgjatë një viti qeversije, rreth 1 300 procedura janë të tëra me negociim pa shpallje, dhe mbi 1100 procedura janë me negocim pa shpallje nga janari deri më sot. “Vlera totale, rreth 3,3 miliard të reja, që dihet që janë të gjitha para të taksapaguesve shqiptar, shpërndahen në mënyrë klienteliste nëpërmjet këtij sistemi që është përjashtim nga rregulli, dhe nuk mund të jetë rregulli kështu si po e kthen qeveria procedurën e prokurimit. Në këtë mënyrë e kanë rriskun shumë të lartë për tu abuzuar dhe rënë pre e skemave korruptive”, tha Bylykbashi./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





