
Tiranë, 16 shtator 2014, NOA.al- Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Aldo Bumçi, ka denoncuar një ndërtim pa leje, për të cilin ka deklaruar se është i dajës së ministrit Erion Veliaj.
Në fjalën e tij Bumçi tha se dyshja Rama-Meta po demonstron çdo ditë, se për ta ka dy standarde për shtetin ligjor dhe zbatimin e ligjit, duke shtuar se ligji është opsional, fakultativ, i zbatueshëm sipas dëshirës kur vjen puna për njerëzit e tyre.
“Ligji është i ashpër për qytetarët e tjerë të vendit që nuk janë pjesë e oligarkisë. Mediat raportojnë çdo ditë arrestime dhe procedime penale të shumëkujt që rregullon avllinë, suvaton muret e shtëpisë, riparon çatinë. Kryetari i komunës Blinisht arrestohet për murin e jashtëm të shtëpisë. Kryetari i Bashkisë së Urës Vajgurore, që ndërton pallat në mes të ditës në mes të qytetit jo vetëm nuk është arrestohet por as nuk procedohet dhe madje as qortohet. Kemi këtu vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit të Vlorës, që e shpall të paligjshme lejen e dhënë nga ky kryetar Bashkise, për ndërtimin që ai vetë po bën. Pra ai po ndërton pa leje. Por Kryetarin e Bashkisë së Urës Vajgurore nuk e kap ligji se është daja i Ministrit Erion Veliaj”, tha Bumçi.
Sipas tij, kryetari i Bashkisë së Urës Vajgurore nuk e zbaton vendimin e Gjykatës, sepse vendimet e gjykatave nuk i zbaton Edi Rama, vendimet e gjykatave nuk i zbaton Ilir Meta dhe oligarkia thotë se udhëheq me shembull personal.
Bumçi nënvizoi se shembulli personal është ndërtimi pa leje, moszbatimi i ligjit, moszbatimi i vendimit të gjykatave.
Në mbyllje të fjalës së tij në emër të PD, ai i bëri thirrje Prokurorisë që të nisë procedimin për atë që e cilësoi shkleje flagrante të ligjit./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





