Transmetuar më 15-09-2014, 19:40

Tiranë, 15 shtator 2014, NOA.al – Punëve të Jashtme Ditmir Bushati takoi sot ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ku kanë vlerësuar arritjet dhe rezultatet e dala nga Partneriteti Strategjik që është nënshkruar ndërmjet dy qeverive në Prizren.

“Mund të thuhet që pjesa dërrmuese e zotimeve nga Partneritetit Strategjik të arritur në Prizren tashmë është implementuar, se marrëdhëniet bilaterale janë të shkëlqyera dhe se janë shënuar të arritura konkrete në fushat e kulturës, arsimit, turizmit dhe energjetikës, por gjithashtu edhe në politikën e jashtme”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Ai ka shtuar se thuajse 90% të zotimeve në politikën e jashtme dhe zotime të tjera të ngritura në mbledhjen e Prizrenit janë realizuar.

“Jam i lumtur që nesër do të inaugurojmë konsullatën e përbashkët Kosovë-Shqipëri në Milano të Italisë, dikur një ëndërr tani e kthyer në realitet që do të jetë në shërbim të mbrojtjes së interesave të qytetarëve tanë si një praktikë e mirë për t’u mundësuar të dyja vendeve tona një përfaqësim më të gjerë global, reduktimin e kostos financiare, si dhe në avancimin e raporteve tona ndërshtetërore në fushën e shërbimeve konsullore”, tha Hoxhaj

Më tej ai shprehu bindjen se shumë shpejt do të vazhdohet me konsullata të përbashkëta në Canberra të Australisë dhe vende tjera.

Lidhur me bashkëpunimin rajonal dhe në Ballkanin Perëndimor, sipas Hoxhaj, roli dhe kontributi i dy shteteve për paqen rajonale dhe stabilitetin është kuptuar seriozisht jo vetëm nga fqinjët por edhe partnerët perëndimor.

Dy ministrat ranë dakord për bashkëpunimin në disa prej organizatave që së fundi është anëtarësuar Kosova sikurse SEECP, dhe në disa të tjera që synohet të aplikohet ku Shqipëria do të luaj një rol të rëndësishëm.

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka vlerësuar progresin që është arritur në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të Shqipërisë për Kosovën në të gjitha fushat.

Gjatë konferencës, Bushati po ashtu ka vlerësuar bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet dy shteteve, duke shprehur vullnetin e Shqipërisë për fuqizimin e gjithanshëm të tij. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit