
Pejë/Kosovë, 15 shtator 2014, NOA.al – Një aksident i rëndë automobilistik i ndodhur në Pejë, Kosovë, i ka marrë jetën dy të rinjve si dhe ka lënë si pasojë një tjetër të plagosur rëndë.
Korrespodenti në Kosovë i agjencisë NOA.al bën me dije se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:25 në rrugën Banje e Pejës-Vrellë pikërisht në fshatin Lubovë komuna e Istogut.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ka qenë shpejtësia e lartë e mjetit ngjyrë vishnje tip Wolkswagen, ajo që ka çuar në daljen e makinës nga rruga dhe përplasjen e saj me një pemë tip lis. Si pasojë kanë ndërruar jetë drejtuesi i mjetit, i identifikuar si Haxhi A. 24 vjeç dhe pasagjeri Liridon G., 23 vjeç. Plagë të rënda ka marrë edhe 17 vjeçari Alban G., nga fshati Lubovë, Istog.
Vdekja e të aksidentuarve është konfirmuar nga ekipi i mjekësisë familjare në Istog. Me ndihmën e zjarrfikësve policia ka arritur të tërheqë nga automjeti dy kufomat, ndërsa i lënduari është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për të marrë ndihnin e duhur mjekësore. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





