


Tiranë, 15 shtator 2014, NOA.al- Nis sot viti i ri shkollor në mbarë vendin, ku rreth 32 mijë fëmijë ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Në total mësohet se janë rreth 540 mijë nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe atij të mesëm që do të ulen në bankat e shkollës për nisjen e vitit të ri shkollor 2014-2015.
Në urimin e saj për ditën e parë të shkollës, Ministrja e Arsimitm Lindita Nikolla, shprehu urimet për gjithë nxënësit.
Ajo tha se, “Nesër fillon viti i ri shkollor për arsimin parauniversitar, ndaj në emër të MAS-it dhe të Qeverisë, ju përshëndes dhe dërgoj pranë jush urimet më të ngrohta. E di që po i jepni dorën e fundit, siç thuhet, përgatitjeve për të nesërmin në mëngjes, por lejomëni të ndaj me ju emocionet e mia në një moment si ky, emocione të një mësueseje, të një nënë dhe të një bashkëqytetare”.
Rama: Nis sfida, asnjë mësues jashtë profilit
Kryeministri Edi Rama ka uruar gjithë nxënësit për një vit yë mbarë shkollor.
Në një postim të tij në Facebook, Rama shkruan: “Urime gjithë nxënësve që po shkojnë në shkollë për të nisur një vit të ri në rrugën e diturisë. Për ne nis sfida, asnjë mësues jashtë profilit. Fund rrënimit të mësimdhënies me mësues biologjie që japin matematike a mësues gjeografie që japin kimi e muzikë”.
Në vijim kreu i qeverisë i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, u ndalën në gjimnazin “Ismail Qemali” në kryeyqtet për të uruar nxënësit.
Ai tha se, “Donim ta hapnim këtë vit shklollor në shkollën “Ismail Qemali që është shkolla më e dalluar mbështetur te matura shtetërore, duke qenë se është një pikë referimi për të gjithë. Në kurikulën arsimore do të futen në programet shkollore edhe orët e edukimit fizik. Ne jemi të inkurajuar nga rezultatet e maturës shtetërore, por ka shumë ende për tu bërë. Sapo kemi filluar një tjetër reformë për mësuesit, atë të përputhjes me orët e mësimit. Në mënyrë që mësuesit e biologjisë të mos japin fizik e kështu me radhë”.
Urimi i Bashës: Suksese dhe vit të mbarë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha është ndalur në shkollën “Eqerem Çabej” në kryeqytet, për të uruar nxënësit për vitin e ri shkollor.
Në fjalën e tij Basha tha se, “shumica kanë ardhur me dëshirë të madhe dhe mall pas shkëputjes dhe shpresoj që kjo dëshirë e madhe për të filluar shkollën t’iu zmadhohet edhe më shumë, se ju jeni një ndër shkollat që janë rikonstruktuar me laborator të rinj, mbi të gjitha me një përkushtim të ri apo të rinovuar për përgjegjësinë tuaj kryesore, atë të nxënies, mësimit që e keni para vetes suaj dhe për veten tuaj, për familjen dhe qytetin ku jetoni që sytë i kanë te ju, te brezi i ri".
"Duke ndarë me ju kënaqësinë e madhe, – uroi Basha, – ju uroj nga zemra suksese, një vit të mbarë dhe nderoni veten tuaj, familjen tuaj edhe emrin e këtij gjimnazi me rezultatet tuaja”./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





