



Tiranë, 15 shtator 2014, NOA.al- Gjykata e Apelit ka lënë të lirë ish Guvernatorin e Bankës, Ardian Fullani, duke dhënë për të masën “arrest shtëpie”. Vetë avokati i Fullanit, Maksim Haxhia është shprehur se si profesionalisht dhe si qytetar nuk mund të thotë se foli drejtësia.
“Ishte një vendim që pavarësisht se ishte në favor të kërkimeve tona, nuk ishte tërësisht ai që ne prisnim. Do të bëjmë rekurs. Këshilli Mbikqyrës nuk ka përgjegjësi penale. Nuk kam folur ndonjëherë për përgjegjësi penale të Këshillit Mbikqyrës”, ka thënë Haxhia pas përfundimit të seancës, e cila ka zgjatur 1 orë e 30 minuta.
Gjykata e Apelit ka shqyrtuar sot masat e sigurisë për zyrtarët e lartë të ndaluar për shpërdorim detyre, lidhur me vjedhjen e 713 milionë lekëve në Arkën e Thesarit.
Në fjalën e mbajtur gjatë seancës gjyqësore, ish-Guvernatori Ardian Fullani, deklaroi se ka punuar me ndershmëri dhe korrektesë në drejtimin e institucionit bankar, duke bërë me dije se për 30 vite ka punuar si bankier dhe 10 vite si Guvernator i BSH.
Ai deklaroi se lajmin për vjedhjen i erdhi si një rrufe në qiell të kaltër, ndërsa e cilësoi si një ngjarje të rëndë që u denoncua direkt.
Gjithashtu Fullani tha se duhen marrë masa, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos ndodhin më.
Flet avokat Maksim Haxhia
Apeli, pasi dëgjoi palët, vendosi që Guvernatori Fullani të lërë qelinë dhe të qëndrojë në arrest shtëpie, deri në përfundim të hetimeve.
Por avokati mbrojtës, tha se nuk duhet të kishte fare masë sigurimi personal, pasi arrestimi ka qenë i paligjshëm.
“Vendimi i sotëm ishte një vendim që pavarësisht se ishte në favor të kërkimeve tona, nuk ishte në stadin e atyre kërkimeve, pasi ne kërkuam të mos kishte fare masë arresti dhe as masë sigurimi personal. Megjithatë gjykata vendosi prishjen e vendimit të datës 5 shtator, duke vendosur masën e “arrest shtëpie” si masë sigurimi personal. Do bëjmë dhe rekurs”, – tha Maksim Haxhia.
Haxhia sqaroi dhe deklaratën e bërë në lidhje me Këshillin Mbikëqyrës të Bankës, ku deklaroi se nuk ka folur asnjëherë për përgjegjësi penale të anëtarëve.
“Nuk kam thënë përgjegjësia penale është e Këshillit Mbikëqyrës. Këshilli nuk ka përgjegjësi penale por kam thënë që Ardian Fullani nëse do të klasifikohet për ndonjë përgjegjësi administrative apo penale nuk mund të ndahet nga përgjegjësia e Këshillit. Është organ kolegjial dhe ashtu si funksionon për një anëtar funksionon dhe për anëtarët e tjerë. Nuk kam folur asnjëherë për përgjegjësi penale të Këshillit”, – u shpreh avokati Haxhia.
Në përfundim të deklaratës së tij, avokati Haxhia tha se asnjë nga deponimet e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës në Prokurori nuk përbënte ndonjë provë në dëm të Fullanit.
Gjatë seancës së zhvilluar pa praninë e kamerave, Guvernatori Fullani deklaroi se ishte udhëhequr gjithmonë nga ligji dhe ndershmëria si Guvernator i Bankës së Shqipërisë.
Ai theksoi se vjedhja e ndodhur në departamentin e Emisionit të Parave është e shkëputur nga mënyra se si ka funksionuar Banka e Shqipërisë.
Guvernatori vuri në dukje edhe faktin se vjedhjen e denoncoi vetë Banka, e cila ka bashkëpunuar ngushtë me prokurorinë, duke i vënë në dispozicion të gjitha praktikat e kërkuara.
Ai nënvizoi se procedurat e ndjekura për sigurinë e bankës janë të standardeve më të larta europiane dhe se departamenti ku ndodhi vjedhja, funksionon në bazë të ligjit.
Fullani, nga qelia e paraburgimit të 302-shit te shtëpia luksoze në ish Bllok
Pasditen e së hënës në orën 18.30, rreth tre orë pasi Apeli urdhëroi prishjen e vendimit të Faktit, Guvernatori i Bankes se Shqiperise, Ardian Fullani ka lënë qelinë e paraburgimit të burgut 302, për t’iu drejtuar banesës së tij në zonën luksoze të ish Bllokut.
Makina e policisë ka shoqëruar Fullanin deri në ish Bllok. Në rrugën Dëshmorët e 4 Shkurtit, pranë pub-eve që ndodhen në këtë zonë, Fullani iu drejtua banesës së tij në një pallat të ndërtuar vitet e fundit, ndër më të shtrenjtët e ish Bllokut.
Derisa hyri në shtëpi, Fullani shoqërohej nga disa forca policie. Kur ai hyri brenda, disa policë, nuk u larguan nga zona përreth pallatit, thanë për NOA.al dëshmitarë okularë.
Në fotot shikoni pikërisht pamje pas daljes nga burgu dhe afrimit në shtëpinë e ish Bllokut.
Golemi mbetet ne burg
"Nuk jam pyetur". Kështu është shprehur më herët në fjalën e saj në seancën që e mbajtur në Gjykatën e Apelit për ankimimin e masës së sigurisë “Arrest me burg”, ish-Inspektorja e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi, e cila ka thënë nuk ka pasur asnjëherë mundësi që të sqarojë pozitën e saj.
Në ngarkim të saj Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës, "arrest me burg", pavarësisht pretendimeve të avokatit mbrojtës dhe vetë të pandehurës.
Duke pretenduar mungesë provash lidhur me arrestimin e saj, Golemi tha se, “Nuk jam marrë asnjëherë në pyetje nga Prokuroria. Kjo është hera e parë që më jepet mundësia të flasë. Dua të di cili është roli i Këshillit Mbikëqyrës në këtë ngjarje. Raportet e auditit i dorëzova në Prokurori dhe nuk kishte rrezik për të prishur provat. Në rregullore nuk përcaktohen auditime dhe kontrolle periodike. Kam ushtruar kontroll në Thesar në vitin 2013”.
Gjithashtu Gjykata e Apelit ka shqyrtuar masën e sigurisë edhe për ish-punonjësit e Komisionit të Inventarizimit të kartmonedhave në Thesar, Ilir Dedja, Bahri Allushi dhe Fatbardha Gurthi duke dhënë për ta masën “arrest shtëpie”. Pritet ende shqyrtimi i masës për Gentian Jahja.
Në burg apo i lirë, gjykata e Apelit vendos sot për Fullanin
Tema kryesore e ditëve të fundit në media dhe e rrahur gjerësisht në opinionin publik është padyshim arrestimi i Ardian Fullanit, guvernator i Bankës së Shqipërisë.
Mbrojtësit ligjorë kërkojnë të hënën më 15 shtator nga Gjykata e Apelit që të merret një kundërvendim për ta liruar nga paraburgimi Ardian Fullanin.
Trupa gjykuese do të përbëhet nga kryetari i Gjykatës së Apelit, Alaudin Malaj dhe gjyqtarët Agim Bendo dhe Shkëlqim Miri.
Të dielën e shkuar gjykata e Shkallës së Parë, konfirmoi vendimin e marrë më herët në mungesë për lënien në qeli pa afat, për Ardian Fullanin, pasi akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Banka e Shqipërisë.
Ndërkaq, rrethi i hetimeve është zgjeruar edhe më tej duke përfshirë dhe bankat e nivelit të dytë.
Po sot, por 45 minuta më herët, para gjykatës pritet të dalë Inspektorja e Përgjithshme, Elivar Golemi, gjithashtu e dyshuar për shpërdorim detyre.
Ndërsa ish-punonjësit e Bankës së Shqipërisë, Ilir Dedja, Bahri Allushi, Fatbardha Gurthi dhe Gentian Jahja, do të përballen me Gjykatën e Apelit në seanca të ndara, me një diferencë kohe prej 15 minutash nga njëri-tjetri.
Katër punonjësit e BSH dyshohen për shpërdorim detyre, pasi në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Inventarizimit të kartëmonedhave në Thesar, janë nën masën e sigurisë arrest shtëpie, caktuar nga Gjykata e Tiranës, por prokuroria kërkon rikthimin e tyre në burg. Ndaj beteja e tyre në Apel, pritet të jetë e fortë, pasi do të këmbëngulin që të paktën të mbetet në fuqi, masa e sigurisë arrest shtëpie.
Komisioni i Ekonomisë shkarkon me unanimitet Ardian Fullanin
Por a do të lirohet të hënën Fullani? Apeli është në një sprovë të vështirë këtë fillimjavë. Opinioni publik anon ndjeshëm në dëshirën që Fullani të qëndrojë në burg, shtoji kësaj dhe mosbesimin e akumuluar ndaj gjyqtarëve që shumëherë akuzohen për abuzim me postin.
Në këtë rast, pritet që Apeli të vendosë nëse ka ndryshuar diçka pas vendimit të Shkallës së Parë që jepte disa argumente që sipas saj ishin të drejta për ta lënë Fullanin në burg pa afat.
Vjedhja në Bankën e Shqipërisë, Fullani merret në pyetje në burg
Nga ana tjetër, prokuroria duket e vendosur që edhe në Apel të mbrojë kërkesën për mbajtjen në arrest paraburgimi për Fullanin. Burime jozyrtare nga Prokuroria e Tiranës thanë se hetimet për Fullanin dhe detyrën e tij drejtuese po vazhdojnë duke çuar në hollësi të tjera që pritet të bëhen publike në ditët në vazhdim.
Prangosja e Fullanit, flet ambasadori italian |VIDEO
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





