
Ministria e Financave ka bërë gati ndryshimet që do të pësojë buxheti i vitit 2014. kjo situatë paraqitet ndërsa në këtë kohë duhej të ishte në përfundim të hartimit të buxhetit 2015.
Drafti i rishikimit të buxhetit 2014 është përgatitur dhe javën që vjen pritet të kalojë në qeveri.
Ndryshimet e treguesve fiskalë në ligjin për Buxhetin e Shtetit 2014 tashmë janë thuajse në nivelet përfundimtare.
Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur, se pas negociatave me ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar është arritur në përfundimin se ligji i buxhetit për këtë vit do të pësojë ndryshime, të cilat pritet të kalojnë për miratim në qeveri. Po sipas këtyre burimeve këto ndryshime do të prekin kryesisht zërin e shpenzimeve, ku do të ketë ndryshime fondesh tek zëri i investimeve dhe fondet e që shkojnë për pagesat e personave me aftësi të kufizuar.
Ndërsa referuar zërit të të ardhurave, të cilat rezultojnë në një vlerë prej 3 miliardë lekë më shumë se planifikimi, do të shkojnë për uljen e deficitit buxhetor.
Gjithashtu dikasteri i Financave po punon dhe për hartimin e draftit të buxhetit të vitit të ardhshëm i cili do të mbështetet në të ardhurat e këtij viti, të cilat sipas të dhënave paraprake për 8 mujorin rezultojnë të jenë më të larta se një vit më parë.
FMN heshti pas monitorimit të qeverisë
FMN do të vijojë në Uashington të shqyrtojë dhe diskutojë rreth të gjitha çështjeve për të cilat, zhvilloi takime në Tiranë me drejtuese të qeverisë. Zyrtarisht FMN nuk i bëri publike vlerësimet mbi situatën makroekonomike në vend. FMN zhvilloi një vizitë në Tiranë nga data 26 deri më 9 shtator, por në përfundim të saj nuk doli në një konferencë për media, traditë kjo e përhershme.
Ekipi diskutoi një sërë çështjesh me autoritetet, përfshirë buxhetin e vitit 2015, reformat strukturore, si dhe qeverisjen e Bankës së Shqipërisë dhe kuadrin e politikave.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





