
Tiranë, 13 shtator 2014, NOA.al – Konfindustria i kërkon institucioneve ekzekutive dhe vendimmarrjes politike të jenë të kujdesshme në marrjen e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, pavarësisht trysnisë së mundshme nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Në një deklaratë për mediat, Konfindustria vlerëson, se rritja e çmimit të energjisë elektrike në kushtet kur pothuaj 50% e sasisë së përgjithshme të hedhur në rrjet humbet për arsye teknike dhe mospagesës, rrezikon të përkeqësojë edhe më shumë jo vetëm zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe vetë gjendjen financiare të operatorëve të prodhimit dhe shpërndarjes.
“Pasojat e rritjes së çmimit të energjisë do të rëndojnë edhe më shumë vetëm mbi bizneset dhe qytetarët e ndershëm shqiptarë, duke rrezikuar shtimin e rezistencës për mospagesë, do të rriti kostot e prodhimit dhe shërbimit për industritë vendore, duke ulur konkurueshmërinë e tyre në treg me rrezik falimentimi dhe është goditje e drejtpërdrejtë e fuqisë tërheqëse të vendit për investitorët”, thuhet në njoftimin e Konfisnidtrisë.
Konfindustria këshillon, që përpjekjet kryesore duhen përqendruar jo në politikën e rritjes së çmimeve, por në uljen reale me çdo kusht dhe sa më shpejt të nivelit të sotëm tepër të lartë të humbjeve, që njëkohësisht paraqet edhe potencialin më të madh, që duhet shfrytëzuar për përmirësimin financiar të qëndrueshëm në afatgjatë të sektorit strategjik të energjisë elektrike në vend. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





