Transmetuar më 13-09-2014, 11:25

Tiranë, 13 shtator 2014, NOA.al – Partia Demokratike, përmes koordinatorit për media, Ervin Salianji, ka denoncuar pallatin pa leje që ka ndërtuar daja i ministrit Erion Veliaj në zonën e Urës Vajgurore.

“Jemi sot këtu për të denoncuar këtë ndërtim klientelist, korruptiv, e që i vendos minat nga themeli shtetit të së drejtës. Kam këtu vendimin e Gjykatës së Apelit të Vlorës, e cila shfuqizon aktin administrativ të njësisë vendore Ura Vajgurore, dhe i jep të drejtë Inpektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar dhe një personi të tretë, i cili ka kërkuar që ky ndërtim të mos bëhet”, u shpreh Salianji.

Ai tha më tej se prej 3 vitesh ky ndërtim është ndaluar në përputhje të plotë me legjislacionin dhe vendimin e gjykatës ndërsa, para 6 muajsh, pas ndërrimit të qeverisë, ky ndërtim klientelist po vazhdon të ndërtohet për të vetmen arsye, se ky ndërtim bëhet nga i afërmi, nga daja i Ministrit të Mirëqenies Personale.

“Pas një viti, kemi dy Shqipëri. Shqipërinë e të pamundurve, të njerëzve të varfër, të njerëzve në nevojë të cilët shoqërohen, tmerrohen për një tullë, dhe njerëzve të oborrit dhe tarafit qeveritar të cilët ndërtojnë në mes të ditës pa iu dridhur qerpiku dhe pa u hyrë asnjë gjemb në këmbë”, tha Salianji.

Partia Demokratike bën me dije se ndërtimi në fjalë, ishte kontestuar më parë nga INUK, i cili fitoi gjyqin me Bashkinë e Urës Vajgurore, dhe leja e ndërtimit u shpall e pavlefshme. Kjo parti bën me dije se vendimi i marrë nga Gjykata e Apelit të Vlorës, është i formës së prerë. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit