Transmetuar më 13-09-2014, 09:44

Viti i ri arsimor në Qarkun e Kukësit, pritet që të nisë me një sërë problematikash, të cilat kanë të bëjnë me gjendjen fizike të godinave arsimore, çka sipas stafeve pedagogjike është një problem mjaft shqetësues.

Gjatë një takimi të mbajtur, drejtuesit e shkollave, nxënësit dhe komunitetet e prindërve, kanë kërkuar ndërhyrje pasi me kushte të tilla, kur nuk ka dyer  e dritare, xhama e palestra, apo edhe karrige për t’u ulur, ata thonë se kjo do të ndikonte negativisht në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Ndërkohë, vetë prindërit kërkojnë që këtë vit të ri arsimor, stafet pedagogjike duhet me patjetër që të evitojnë vlerësimet fiktive, gjë që është faktuar kur nxënësit nga Kukësi kanë shkuar në universitete dhe kanë pasqyruar nivel shumë të dobët arsimor.

Problemet i ka pohuar edhe drejtoresha e arsimit në Kukës, Zime Tota e cila ka theksuar faktin se njësitë vendore, kryesisht komunat, nuk janë marrë ashtu siç duhet me rikonstruksionin e godinave arsimore. Ajo ka shtuar se në klasat e shkollave të mëdha numri i nxënësve është mbi 45 ndërkohë që për stafet pedagogjike, ajo tha se do ketë ndryshime të theksuara.

Për këto probleme, që shqetësojnë arsimin në Kukës, Prefekti Safet Gjici ka deklaruar se do të ulet numri i nxënësve në klasa, do ndërtohen terrene sportive ndërkohë që do ndërtohet edhe shtesa e një shkolle.

Në Qarkun e Kukësit, pritet që këtë vit të ri arsimor të ulen në bankat e shkollave rreth 20 mijë nxënës, në 976 shkolla ndërkohë që në sistemin parashkollor do ndjekin arsimin 2860 fëmijë në 95 kopshte.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit