


Rrëshen, 12 shtator 2014, NOA.al- Një 18-vjeçar ka mbetur i vdekur pasi u qëllua me thikë gjatë një sherri mes disa të rinjve. Ngjarja ndodhi sot në mbrëmje në Rrëshen kur disa të rinj janë përfshirë në një përleshje me thika dhe për pasojë mbeti i vdekur 18-vjeçari Ardit Koka.
Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje për të zbardhur rrethanat.
Burime nga policia thanë se sherri nisi në ambientet e një lokali në Rrëshen dhe më pas vazhdoi edhe në rrugën kryesore të qytetit.
Koka u qëllua disa herë me thikë duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Në komisariat janë shoqëruar disa persona të cilët po merren në pyetje, ndërsa policia ende nuk ka dhënë identitetet e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Policia tha se është identifikuar edhe autori i dyshuar i krimit, Alban Molla, 26 vjeç.
Sherri mes të rinjve kishte nisur për motive të dobëta. Autori i dyshuar dhe viktima janë përfshirë në konflikt për motive banale kur 26-vjeçari Molla ka nxjerrë një thikë dhe e ka qëlluar një herë të vetme viktimën.
I riu ka mundur të ecë për disa metra, pas goditjes dhe më pas është shembur në tokë.
I dyshuari i vetëm i krimit u arrestua nga policia disa orë më vonë dhe e pranoi autorësinë e krimit.
/k.k/noa.al/
Qëndrimi i policisë
Me datë 13.09.2014, ora 02.00, u arrestua në flagrancë shtetasi Alban Molla, vjeç 26, banues në Tarazh, bashkia Rreshen-Mirditë, sepse me datë 12.09.2014, ora 21.45, në vendin e quajtur para lokalit “Everest” në qytetin Rreshen, pas një konflikti për motive të dobëta, ka vrarë me armë të ftohtë thikë shtetasin Ardit Koka, vjeç 18, banues në Rreshen-Mirditë. Me cilësinë e provës u sekuestrua arma e krimit një thikë me palosje.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





