Transmetuar më 12-09-2014, 19:45

Shumë njerëz në Kosovë kanë menduar se këta janë inteligjenca e Kosovës! Por, në të vërtetë po del se nuk janë të tillë

Nga Lulëzim Krasniqi

Po del se këta njerëz janë  grumbull i revoltuar, një turmë e revoltuar. Asgjë më shumë! Si të tillë nuk dallojnë nga të tjerët, nga partitë tjera! Siç ka thënë Jose Ortega y Gasset se: Turma është njeriu mesatar. Nuk ka të bëjë me falimentimin ekonomik të Lëvizjes Vetëvendosje!, por me falimentimin moral dhe politik të saj. Sepse pikërisht për t’iu shmangur falimentimit ekonomik, udhëheqësia e saj ka vendosur për t’iu bashkëngjitur LAN-it. Ndërsa, sa i përket moralit dhe në politikë,  Lëvizja Vetëvendosje!  ka dështuar, ka falimentuar. Lëvizja Vetëvendosje!, si e vetmja parti politike në Kosovë, për të cilën një pjesë e madhe e qytetarëve me inteligjencë mesatare kanë menduar se ka parime morale politike, dolën të jenë të gabuar. Bile, mund të them lirisht se gabuan edhe një pjesë e intelektualëve, të cilët së paku jo publikisht, e kanë përkrahur Lëvizjen Vetëvendosje! si të vetmen parti me një frymë të re politike, tek e cila kanë pasur besim se, është e vetmja me mendësinë politike të cilën e proklamonte, si në protestat që ka mbajtur, ashtu edhe më fjalorin politik mediatik dhe me programin e saj politik që, kur të vijë në pushtet do ta ndryshonte për të mirë situatën politike dhe socioekonomike të Kosovës. Dështoi edhe kjo shpresë e qytetarëve të ndershëm të Kosovës. Tash, shtrohet pyetja te kush duhen të mbështeten qytetarët e Kosovës? Kujt duhet besuar ata? A duhet besuar partive politike të cilat i kemi provuar në pushtet!? Jo. Unë nuk iu besoj. Pse? Sepse, janë të njëjtat parti politike: PDK, LDK, AAK si dhe patericat e tyre (partitë e vogla), të cilat e kanë sjellë Kosovën në një qorrsokak politik, ekonomik, social dhe të sigurisë. Këto parti politike, janë të njëjtat që kanë mbjellë në Kosovë një kulturë mosbesimi edhe te vetë qytetarët e Kosovës. Me politikat e tyre të deritanishme, kanë bërë që njerëzit, në Kosovë, ta humbin besimin tek njëri-tjetri. Mos t’i besojnë njëri-tjetrit. Partitë në fjalë, me qeverisjen e tyre, i kanë bërë njerëzit që mos ta njohin njëri-tjetrin, duke mos pasur mundësi ta dallojnë se kush është mirë dhe kush është i keq. Kush është i moralshëm dhe kush nuk është. Kush është i drejtë dhe kush është i padrejtë. Kush është besimtar dhe kush nuk është besimtar.  Me kë duhet solidarizuar dhe më kë nuk duhet solidarizuar. Të gjitha i kanë bërë që i miri të mos dallohet nga i keqi, më qëllim që i keqi ta dominoj të mirin. Dhe pikërisht për këtë, ia kanë arritur qëllimit. Sot, në Kosovë, është shumë e vështirë t’u besosh njerëzve, sepse nuk mund të jesh i sigurt se cili është i miri dhe cili është i keqi. Në një situatë të tillë është normale që e keqja të reklamohet si e moralshme; që e keqja/ i keqi të mbaj ligjërata për moral; që e keqja të duket e se është e mira. Që i keqi të duket se është i miri. Prandaj, është mëse normale që i keqi ka udhëhequr Kosovën, apo Kosova të jetë e udhëhequr nga i keqi. Thjesht, Kosova është udhëhequr nga të këqijtë, dhe se do të vazhdojë të udhëhiqet nga të tillët. Vetëm fytyra të tjera! Këtë situatë e vërtetoi veprimi i Lëvizjes Vetëvendosje!. Politikat e saj pro qytetarëve u shndërruan në interes të ngushtë të udhëheqësve kryesor të saj. Ata në mënyrë krejtësisht arbitrare kanë bërë koalicion me LAN, duke harruar demokracinë e proklamuar që nga fillimi, duke mos i pyetur fare anëtarët e tyre, duke mos u kthyer në aktiv. Thua se të gjitha meritat i kanë ky grup i udhëheqësve të Lëvizjes Vetëvendosje!. Thua se mos të kishin qenë këta njerëz, Lëvizja Vetëvendosje!  nuk do të kishte me qenë në këtë pozicion politik që është sot. Këta njerëz janë dashuruar në veten e tyre. Janë bërë narcizistë. Apo ndoshta që nga fillimi kanë qenë të tillë. Si të tillë, kanë dështuar. Shumë njerëz në Kosovë kanë menduar se këta janë inteligjenca e Kosovës! Por, në të vërtetë po del se nuk janë të tillë. Po del se këta njerëz janë  grumbull i revoltuar, një turmë e revoltuar. Asgjë më shumë! Si të tillë nuk dallojnë nga të tjerët, nga partitë tjera! Siç ka thënë Jose Ortega y Gasset se: Turma është njeriu mesatar. Krerët e Lëvizjes Vetëvendosje! i kanë “harruar” të gjitha protestat dhe deklaratat e tyre të mëparshme, që kanë bërë, të gjitha, kundër të gjitha partive që kemi provuar në pushtet, deri më tani. Kundër të gjithëve që kanë bërë politikë, që sipas tyre ka qenë kundër interesave të Kosovës. Veprimi i Lëvizjes Vetëvendosje!, jam i sigurt, se është në kundërshtim me vetë anëtarët e thjeshtë të saj. Është në kundërshtim me votuesit e saj. Një gjë është e sigurt se, krerëve të kësaj Lëvizjeje u ka humbur rruga që kanë nisur. Ata, nga gabimi që bën pas zgjedhjeve, duke mbështetur koalicionin LAN, jam mëse i sigurt se e kanë kuptuar se kanë gabuar, prandaj e kanë ditur se, nëse Kosova do të kishte shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme, Lëvizja Vetëvendosje! nuk do të  kishte fuqinë politike qe e ka sot. Prandaj, e bënë një koalicion të tillë, duke shkelur parimet kryesore të tyre. Thyerja e parimeve, ka bërë që më në fund ta tregojnë fytyrën e vërtetë tyre, dhe njëkohësisht ka bërë që, ata të falimentojnë moralisht dhe politikisht, para qytetarëve të ndershëm, para atyre që u besuan atyre, para votuesve të tyre. Megjithëkëto, unë kam dyshuar, se krerët e kësaj “Lëvizje”kanë poseduar parime të shëndosha: morale dhe politike. Thjesht, po del se të tillët, janë një grumbull njerëzish të revoltuar. Asgjë më shumë. Të tillët, nuk janë inteligjenca e Kosovës. Të tillët, nuk dallojnë nga PDK, LDK, AAK dhe patericat e tyre. Të tillët janë njerëz mesatarë. Të tillët, nuk kanë pasur vizion dhe qëllim për ta ndryshuar gjendjen politike, ekonomike dhe sociale. Të tillët, paskan gënjyer. Të tillët, falimentuan moralisht dhe politikisht.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit