Transmetuar më 12-09-2014, 19:29

Nga Aleksandër Çipa

Një ndër pyetjet më të shpeshta që të vjen ndër mend për çështjen e parave të vjedhura nga brenda në Thesarin e Bankës së Shqipërisë është: A kanë pasur seri bankënotat e vjedhura dhe pse nuk ka asnjë informacion për seritë e zhdukura? Është pyetja më e zakontë që bëhet kur flitet për zhdukjen e një sasie, e cila prej autoriteteve të pakta është shprehur në shifrën 7.3 milionë lekë të reja. Askush nuk flet për aspekte të tilla. E thënë troç, informacioni për publikun është i munguar. Vjedhja po mbahet “sekret” për shkak të hetimit, ndërkohë që në këto kushte, politika po riafron protagonizmin e vet për trajtimin e stabilitetit dhe garancisë për sistemin bankar dhe garancinë financiare kombëtare.

Zëdhënësja institucionale për skandalin po mungon. Është një hermetizëm sa i motivuar dhe i justifikuar, aq edhe komprometues e dyshimshtues. Publiku ka të drejtën të dijë më shumë e në kohë për atë çka ngjarë në thellësitë e thesarit të Bankës Kombëtare Shqiptare. Prangosja e guvernatorit A. Fullani dhe hamendësimet për rrethanat në të cilat ngjau ajo, janë elemente thjesht empirike dhe paradhomë e përdorimit politik të asaj çka shohin sytë e publikut. Investigimi i munguar shton misterin dhe e bën edhe më të kompromentuar të vërtetën.

Administrimi i Bankës së Shqipërisë është diskredituar fuqishëm. Ka ndodhur ajo që nuk mbahet mend të ketë ngjarë në kohë dhe regjime të tjera, në sisteme e periudha okupacioni e vetëqeverisjeje. Banka e Shqipërisë është goditur përmes vjedhjes nga brenda të Thesarit në fondin e vet monetar, në themelet e pasjes reale dhe të pasurisë kombëtare të shtetit, por në masë të pallogaritshme, në sytë dhe opinionin partnerial të krejt sistemit bankar ndërkombëtar e rajonal.

Për këto arsye, ky skandal nuk lë hapësirë as për protagonizëm politik e aq më tepër politikëbërës brenda institucioneve politike dhe sidomos atyre që lidhen me establishmentin politikëbërës të vendit.

Protagonistët politikë të vendit reaguan dje në njëkohësi, duke dashur të krijojnë një perceptim mbështetës te publiku për administratoren e komanduar të Bankës së Shqipërisë, në rolin e Guvernatores së përkohshme të zgjedhur nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës, i cili po pyetet në mënyrë të përsëritur nga prokurorët e çështjes. Kryeministri i vendit, Edi Rama, zhvilloi qysh në mëngjesin e djeshëm takim me bashkëqeverisësin, kryetar të Parlamentit, zotin Ilir Meta, në prani edhe me ministrin e Financave. Më pas, një takim me ambasadorin amerikan në Tiranë. Fill më pas, takim në selinë qendrore (me qira) të BSH-së, me guvernatoren e përkohshme, dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës. Një takim i cili u pasua nga takimi i tij me Presidentin e Republikës, i cili njëkohësisht e priti në takim zonjën Gjoni. Pa kaluar një orë, Kryeministri takon Grupin Parlamentar të PS-së. Nga ana e vet, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u takua nga kryetari i PD-së, si shef i opozitës zoti Lulzim Basha, duke deklaruar zyrtarisht si motiv të takimit mbështetjen ndaj BSH-së, guvernatores së përkohshme dhe stabilitetit financiar të vendit. I menjëhershëm edhe Kryetari i Parlamentit në takim me guvernatoren. Në këtë mënyrë u plotësua simetria e “nojmës publike” për mbështetje të stabilitetit dhe institucionalizmit të Bankës së tradhtuar aq keq nga administruesit dhe mbikëqyrësit e vet. Në këtë axhendë me kuptim publik mbështetës, tre politikanët kryesorë dhe katër protagonistët dominues të jetës politike dhe institucionale në vend: Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit dhe kryetari i opozitës, duket se respektuan tablonë e mbështetjes së njëzëshme për drejtimin dhe institucionet administruese të Bankës së Shqipërisë. Në të vërtetë, deklaratat e tyre për mbështetje të pavarësisë së guvernatores të lënë shijen e një hipokrizie, pasi askush në këtë shoqëri dhe këtë vend nuk beson se ekziston në këtë Bankë dhe mes këtyre administratorëve pak pavarësi apo integritet veprues apo vetëveprues!

Mirëpo për këtë axhendë të së njëjtës ditë, rezultojnë lexime dhe interpretime të ndryshme. Madje ato po bëhen prologu për nisjen e një kapitulli shtesë dyshimesh dhe hamendësimesh politike. Këto dyshime në thelb lidhen me diabolizmin e provuar të politikës për të kontrolluar, për të ndikuar dhe për të përdorur pavarësinë kushtetuese, veprimtarinë e zinxhirit drejtues të Bankës dhe sjelljen e saj të vështirë në procesin normal jetik brenda sistemit financiar e monetar të vendit.

Takimet e djeshme me guvernatoren e përkohshme dhe Këshillin Mbikëqyrës (nën hetim) të krerëve politikë janë një akt përshpejtues i politizimit të marrëdhënies dhe procesit riadministrues të Bankës. Kjo natyrshëm që mbart edhe ndikim, sidomos mbi procesin hetimor që vazhdon për zbulimin e vjedhjes më gjëmëmadhe që ka ngjarë brenda saj. Është thjesht ripërdorim i mekanizmit “mbuloje përmes politizimit”, ose “eklipsoje duke çelur kapitullin e prishjes së distancës me aktorët politikë”.

Politika çeli dje siparin e fushatës, diskutimeve apo qoftë edhe negocimeve për postin e guvernatorit të ri të Bankës Kombëtare. Dikush mund të shprehet se diçka e tillë është e natyrshme dhe është në detyrën natyrale të politikës të mos humbasë kohë. Natyrshëm kjo përkon me logjikën e përgjegjësisë për të mos lejuar dhe për të mos shkaktuar as vakum e as vonesë proceduese brenda institucionit themelor të sistemit bankar të vendit. Mirëpo në kontekst me procesin sqarues dhe hetues të skandalit të vjedhjes së Thesarit, procedimi i ri është i pashkëputshëm dhe vështirë i ndashëm prej serialit ogurzi dhe aq kohor (të vjedhjes nga brenda, me dijeni padyshim nga jashtë).

Sistemi nuk është shembur, por është sabotuar, vjedhur, demaskuar dhe rezulton jofunksionues për më tej. Është bërë informale plotësisht realja, pra monedha. Arkat janë mbushur me libra, u raportua fillimisht në media. Është deformuar struktura dhe zinxhiri administrues i Bankës Kombëtare. Për këtë arsye, edhe sasia e vjedhjes së parave nga Thesari është ende e paqartë. Dyshimi po merr dimensione të reja. Ndërkohë që “terri informues” për numrin e arkave apo bankënotave, për kohën reale të vjedhjes shumëvjeçare siç thuhet, për destinacionin e parave dhe sidomos për përfshirjen në këtë veprimtari të stafit, grupit, një organizate apo bande etj., etj., turpësisht po bëhet edhe më i madh.

Asnjë prej institucioneve të përfshirë në procesin e zbardhjes dhe të administrimit të situatës post-vjedhjeje nuk merr përgjegjësinë për komunikim me publikun. Mediat dhe reporterët e çështjes nuk po sjellin informacion shtesë apo specifik për atë që mbetet ende në thellësinë e hetimit. Errësira mbretëron dhe dyshimi shumështohet, ndërkohë që në mjedisin publik po hidhen hamendësime për llojet dhe praktikat e nxjerrjes së parave nga Thesari, jo me thasët e Bitrajt, por edhe me mjete të blinduara të Thesarit. Kjo letërsi policeske që qarkullon “pa doganë” duhet të zëvendësohet urgjentisht nga transparenca dhe zëdhënësja institucionale, pasi ajo po na çon drejt një qorrsokaku social-politik .

Simetria asimetrike e takimeve dhe bisedave jashtë pranisë së mediave e krerëve politikë me guvernatoren e përkohshme dhe Këshillin Mbikëqyrës të Bankës ka vlerën e një shtese në arsyet dhe faktet e shumë-interpretueshme. Ngutja e tyre për të qenë të gjithë të njëjtë në distancë apo ndikim mbi administratorët “kukulla” të guvernancës së BSH-së me thesar të bërë gropë, nuk është investim për kujdes, por për rikapje apo ribindje sipas sistemit të kalbur. Seriali diabolik i thesarit të bërë gropë në Bankën e Shqipërisë kësaj here po kërcënon dhe padit rrezikshëm, politikanët e këtij vendi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit