Transmetuar më 12-09-2014, 14:57

Tiranë, 12 shtator 2014, NOA.al- Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në një deklaratë zyrtare është shprehur se ndjen keqardhje që ditët e fundit është shtuar ndjeshëm gjuha e urrejtjes dhe islamofobisë nga individë të ndryshëm, të cilët herë me emra realë e herë të fshehur pas pseudonimeve të ndryshme, e kanë shprehur këtë haptazi në rrjetet sociale, por edhe në organet e masmedias.

Sipas KMSH, gjuha e urrejtjes dhe diskriminimit fetar ndaj secilit besim në Shqipëri është njëkohësisht goditje ndaj themeleve të harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare, për të cilën Shqipëria krenohet në sytë e botës.

“Këto vlera natyrisht që së bashku me bukurinë e tyre ruajnë edhe amanetin e vijushmërisë,  duhet të ruhen e trajtohen me delikatesë e respekt. Të gjitha bashkësitë fetare në vend, kanë punuar bashkarisht me durim e përkushtim për të kultivuar harmoninë dhe bashkëjetesën e për ti bërë këto një vlerë të shtuar të identitetit tonë kombëtar”, thuhet në qëndrimin e KMSH.

Në vijim Komuniteti Mysliman i Shqipërisë u bën thirrje të gjithë besimtarëve myslimanë që të mos bien pre e provokimeve të ndryshme dhe gjuhës së urrejtjes që amplifikohen përmes rrjeteve sociale apo organeve mediatike dhe të jenë të vetëpërmbajtur në reagimet e tyre, sikurse këshillon edhe feja Islame.

“Gjithashtu u bëjmë apel edhe të gjithë moderatorëve të rrjeteve sociale dhe drejtuesve të redaksive në media, që të tregohen të kujdesshëm dhe më të përgjegjshëm në publikimet e tyre, që të mos lëndojnë ndjeshmëritë e besimtarëve të asnjërës bashkësi fetare”, përmbyllet qëndrimi i KMSH./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit