Transmetuar më 12-09-2014, 12:25

Tiranë, 12 shtator 2014, NOA.al – Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i pranishëm në ceremoninë përkujtimore të Azem Hajdarit në vitin e 16 të ndarjes nga jeta, deklaroi se Azem Hajdari përbën frymëzimin për të mbrojtur lirinë e demokracinë

“Sot, nga ky vend, si çdo ditë të ekzistencës tonë, Azem Hajdari përbën frymëzimin tonë, forcën tonë, vendosmërinë tonë për të qëndruar fort për vlerat e patjetërsueshme të demokracisë, të lirisë, të shtetit ligjor, të barazisë para ligjit, të të drejtave themelore të qytetarëve. Partia Demokratike ka lindur si një parti misionare, që bëri të mundur pas 50 vitesh, që shqiptarët ti njihnin dhe ti gëzonin këto të drejta”, tha Basha në fjalën e tij.

Ai tha më herët se 16 vjet më parë, dora kriminale e armiqve të lirisë, demokracisë dhe të drejtave themelore të shqiptarëve shtiu zjarr dhe hekur mbi trupin e tribunit të lëvizjes studentore të dhjetorit, Azem Hajdari, në një përpjekje të kotë për të rrëzuar bashkë me trupin e tij edhe idealet dhe vlerat për të cilat ai dhe miqtë e tij u ngritën në dhjetorin e 1990, për të cilat u themelua dhe nisi misionin e saj historik Partia Demokratike.

“Aleanca e armiqve të lirisë dhe e krimit ndau fizikisht nga jeta Azem Hajdarin por nuk mposhti kurrë vlerat për të cilat ai qëndroi, vlera që mishërohen sot tek çdo demokrat, tek Partia Demokratike e Shqipërisë, tek çdo qytetar i lirë shqiptar, tek çdo i ri dhe e re. Sot, 16 vjet pas këtij krimi makabër, pas kësaj përpjekje për të eliminuar dhe goditur këto vlera në themel, shoqëria shqiptare përsëri po përballet me një aleancë akoma më të egër, akoma më djallëzore, të krimit me pushtetin, tha Basha.

Ai bëri me dije se Partia Demokratike nuk do tërhiqet asnjë çast para kësaj ofensive të pushtetit me krimin për ti zhbërë këto të drejta e për ti nënshtruar shqiptarët  përsëri si në kohët më të errëta të diktaturës moniste.

“Nga ky vend, sot në emër të çdo demokrati dhe demokrateje, në emër të çdo të riu dhe të reje, në emër të çdo qytetari shqiptar që e do Europën, e do përparimin, do një Shqipëri të sigurt me një ekonomi të fortë, me mirëqenie për të gjithë dhe me një të ardhme, zotohemi se do të vazhdojmë deri në fitore, çdo betejë, në çdo formë dhe mënyrë, për të mbrojtur demokracinë, të drejtat dhe liritë e qytetarëve shqiptar, shtetin ligjor, dhe për ti dhënë shqiptarëve të ardhmen që meritojnë”, përfundoi fjalën e tij kreu i PD-së. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit